Rama: Këshilloj Berishën të gjejë avokat për vete dhe sekserin e tij
Hetimi ndërkombëtar, që kërkon Sali Berisha, është një manovër për të penguar hetimin kushtetues, që është një e drejtë kushtetuese, ligjore dhe një detyrim i Prokurorisë së Republikës. Me këtë logjikë është shfaqur dje para medias kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas tij, hetimin ndërkombëtar nuk mund ta vendosë as Sali Berisha, as klani i tij, që është i përfshirë drejtpërdrejt në këtë hetim, jo si subjekt, por si objekt i hetimit. "E as forcat qeveritare, të cilat bëjnë mirë t‘i mbajnë duart larg nga Prokuroria, bëjnë mirë të shikojnë se po shkojnë shumë larg në përpjekjen për t‘i qëndruar solidar Kryeministrit të tyre, i cili le të marrë kurajën e të shkojë në prokurori e ta ndihmojë Prokurorinë", nënvizoi Rama. Mund ta ndihmojë, shtoi ai, me ato që di shumë me tepër sesa mund ta ndihmonin prokurorë hipotetikë ndërkombëtarë. Problemi im dhe i yni, argumentoi Rama, i të gjithëve bashkë, është të çlirojmë vendin nga kthetrat e kësaj kaste, e cila e ka kthyer pushtetin e dalë nga vota e qytetarëve në një instrument për përfitime të paligjshme. "Për përfitime të paligjshme, që kanë shkaktuar 26 viktima, që kanë rrënuar imazhin e vendit, që kanë nxjerrë e çuar në drejtim ende të paditur sasi marramendëse parash publike nga një projekt me rëndësi kombëtare", insistoi kreu i opozitës. Ky, vijoi ai, është një turp i dyfishtë, dhe që dëshmon sot e gjithë ditën, përmes kësaj farse me personazh kryesor këtë sekserin e klanit Berisha se jemi realisht në kushtet, ku të gjithë jemi të shqetësuar, të gjithë jemi të bashkuar për ta zmbrapsur këtë të keqe që i ka hyrë në trup shtetit dhe që po gërryen trupin e vendit. Rama i mëshoi idesë se nuk ka nevojë askush, përveç Sali Berishës dhe kastës së tij, për një komision hetimor, i cili do të thotë as më shumë e as më pak, po ndërhyrje flagrante në punët e një institucioni kushtetues, me qëllimin e qartë e të shprehur për të mos e lejuar që të zbardhë të vërtetat, që lidhen drejtpërdrejt me këtë klan. "Përkundrazi, të gjithë kemi interes publik e jo personal që të qëndrojmë e të mos lejojmë që këto të vërteta të ngelen të pazbardhura. E, që ky institucion, që ka detyrën kushtetuese t‘i zbardhë, të pengohet me këto mjete e me këto rrugë të shëmtuara në punën e tij", kërkoi Rama. Por, unë, personalisht, u shpreh kreu socialist, Sali Berishës do t‘i këshilloja të gjejë avokat për sekserin e tij dhe për klanin e tij, e të mos humbasë kohën tonë, energjitë tona të të gjithëve ne, duke na treguar se sa djalë i mirë është sekseri i tij serb. "Një avokat apo disa avokatë do të bënte mirë t‘ia gjente sekserit të tij serb, por edhe klanit të tij, duke filluar nga ministri i Jashtëm pa imunitet, i cili duhet të shkojë në prokurori, sepse është Prokuroria, që ia ka hequr imunitetin dhe i takon Prokurorisë që ta çojë deri në fund hetimin e grabitjes nga fondet e një projekti me rëndësi kombëtare", këmbënguli Rama. Sigurisht, shtoi ai, me radhë të tjerët, të cilët janë të përfshirë; edhe ai, ish-ministri i Drejtësisë, që me shumë zell e bën, nëse e keni vënë re, qysh nga dita kur shpërtheu vullkani i Gërdecit, detyrën e mbrojtësit të klanit Berisha. "Bën mirë që t‘i ruajë energjitë e të stërvitet për të qenë po kaq serbes kur do t‘i duhet të shkojë në Prokurori për shpërdorim të detyrës. Këto nuk janë akuza e shpifje, këto janë fakte që ne presim t‘i nxjerrë në dritë e t‘i zbardhë Prokuroria e t‘i gjykojë Gjykata", tha Rama. Askush të mos mendojë, duke filluar nga Sali Berisha, vijoi ai, se opozita do të rrijë e heshtur. "Jo çka më takon si kryetar i opozitës, është të vazhdoj t‘i jap Prokurorisë në emër të opozitës mbështetje, por nga ana tjetër edhe të kërkoj në emër të qytetareve e qytetarëve, që presin nga Prokuroria zbardhjen e së vërtetës, që, jo vetëm të mos zmbrapset, por edhe të mos vonojë në një proces, që e përsëris është një proces, ku duhet të ndahen Shqipëria e vjetër", nënvizoi Rama. Në vlerësimin e tij, kjo çështje është dhe një provë zjarri për Prokurorinë e Republikës, për Prokuroren e Përgjithshme e për të gjithë prokurorët shqiptarë, të cilët duhet të dëshmojnë besnikëri ndaj Kushtetutës e sens shërbimi ndaj ligjit.