E Diel, 1 Nëntor 2026

METE, bisedime me biznesin për Qendrën Kombëtare të Licencimit

Bizneset do të kenë së shpejti qendrën e tyre të vetme për dhënien e licencave të ndryshme, e unifikuar dhe e ndarë nga institucionet e linjës, nga ku jepen sot lejet. E quajtur Qendra Kombëtare e Licencave, do të shërbejë si "one stop shop", pra me një sportel të vetëm, duke i dhënë mundësi biznesit që të mos shpenzojë kohë të tëra për aplikimin dhe marrjen e licencave. Për funksionimin e kësaj qendre, biznesit më parë i duhet dhënë mundësia të japë sugjerimet për mënyrën e menaxhimit të punës. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në bashkëpunim me GTZ-në, janë duke punuar intensivisht për krijimin e Qendrës Kombëtare të Licencimit. "Kjo vjen si iniciativë e reformës të ndërmarrë nga qeveria në drejtim të reformimit të sistemit të licencimit dhe atij të regjistrimit, të cilat kanë filluar tashmë të japin ndikimin e vet në përmirësimin e klimës së biznesit", u shpreh dje zv/ministri Eno Bozdo.

Plani

Për ngritjen e qendrës është hartuar dokumenti i politikave, i cili prezanton disa zgjidhje, opsione dhe alternativa, duke ofruar një model bashkëkohor për një institucion në shërbim të biznesit. Ministria e Ekonomisë, së bashku me ekspertët e GTZ-së, në hartimin e këtij dokumenti ka vlerësuar dhe studiuar eksperienca të vendeve të ndryshme, për të zgjedhur modelin më të mirë në këtë drejtim. "Zbatimi i kësaj praktike në sistemin e licencimit, tashmë të mirënjohur në shumë vende të botës, do të minimizojë shkallën e diskrecionit të administratës publike si dhe do të mundësojë një shërbim më të thjeshtë dhe eficent në drejtim të licencimit", tha Bozdo. Takimi i zhvilluar dje, mes ministrisë dhe bizneseve, shërbeu si mundësi shkëmbimi pikëpamjesh në drejtim të lehtësimit më tej të procedurave dhe eliminimit të pengesave dhe burokracive në dhënien e licencave. Aktualisht në vendin tonë shërben Qendra e Regjistrimit të Licencave, e cila ofron ndër të tjera dhe licenca për hapjen e një aktiviteti privat. Për sa u takon licencave dhe lejeve të veçanta për aktivitete të ndryshme, si transport, ndërtim apo minerar, aplikimi bëhet në ministri të linjës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›