Energjia, zhvillohet tenderi për importin
OSSH zhvilloi dje tenderin për blerjen e energjisë elektrike për muajt nëntor dhe dhjetor. Në tenderin për blerjen e rreth 200 mijë MW energji elektrike, paraqitën ofertat e tyre 8 kompani. Fondi limit për sasinë e kërkuar nga OSSH është rreth 23 milionë euro. Për muajin nëntor u paraqitën oferta nga kompani të ndryshme, si EFT 54 mijë MW/h, "Rudnap" 50400 MW/h, "Atel" 18 mijë MW/h etj. Për muajin dhjetor, OSSH kërkoi të blinte 111600 MW/h, duke vënë në dispozicion një fond prej rreth 11 milionë euro. Ashtu si për muajin nëntor, të njëjtat kompani ofruan sasi edhe për dhjetorin, me çmime që shkonin nga 83 euro deri në 96 euro për MW/h. Burime zyrtare nga OSSH thanë dje se përzgjedhja e firmave fituese dhe lidhja e kontratave, sipas ligjit, do të bëhet brenda 20 ditëve.