E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “Mazhoranca, e kapur nga aferat korruptive”



Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, duke komentuar përmbajtjen dhe mënyrën e miratimit të ligjit për liberalizimin e shitjes së armëve, ka deklaruar se një gjë e tillë është prova e qartë që dëshmon implikimin e maxhorancës aktuale në aferat korruptive të trafikut të armëve.
“Ligji “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake dhe të mallrave të teknologjive me përdorim të dyfishtë, një ligj që është ndërtuar qëllimisht për të ligjëruar këtë aferë të ndyrë, korruptive, të një grupi të strukturuar kriminal brenda qeverisë së Berishës dhe që ka si produkt të saj tragjedinë marramendëse të Gërdecit. Një ligj që demonstron më së miri korrupsionin në këtë vend, që ka kapur nivelin më të lartë të vendimmarrjes, të paraparë nga Kushtetuta, që është Parlamenti i Republikës së Shqipërisë. Pra, ne sot nuk kemi thjesht një kryeministër të korruptuar, një qeveri të korruptuar, biznes të korruptuar, por ne sot kemi një maxhorancë të korruptuar dhe të kapur deri në palcë nga korrupsioni, pasojat e të cilave janë 22 jetët e marra deri tani në Gërdec”, - tha nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe.

Ceka: “Dorëheqja e Berishës, kusht për hetimin e tragjedisë”

Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, ka deklaruar se kryeministri Sali Berisha duhet të japë dorëheqjen në mënyrë të revokueshme, pasi rezulton të jetë përfshirë në aferat korruptive të trafikut të armëve si dhe të ketë përgjegjësinë kryesore për tragjedinë e ndodhur në Gërdec. “Aleanca Demokratike përsërit edhe një herë me vendosmëri dorëheqjen për kryeministrin Berisha, si kusht për t’i hapur zhvillimin e plotë procesit të hetimeve. PAD inkurajon Prokurorinë Shqiptare për t’u thelluar në këto hetime, për t’i bërë një pastrim politikës shqiptare nga implikimet me korrupsionin”, - tha Ceka.

26 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›