E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi, kartat e identitetit do t’i prodhojë firma që bëri “çorbë” Nigerinë

“Albania” paralajmëroi favorizimin e firmës “SAGEM”. Firma ka shkaktuar probleme edhe në Kosovë në vitin 1999

Habjon Hasani

Tenderi i kartave të identitetit fitohet nga firma “Sagem”, ndërsa “Albania” e ka paralajmëruar një fakt të tillë rreth dy javë më parë. Fill pas përzgjedhjes së shtatë kompanive konkurruese për etapën finale, “Albania” sinjalizoi se një ndër pretendentet e mundshme ishte dhe firma franceze ”Sagem”. Ndërkohë që kjo e fundit duket se në mënyrë të përsëritur ka qenë epiqendra e disa skandaleve ndërkombëtare që lidhen pikërisht me abuzimet në prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit. Duket se rasti më flagrant ka lidhje me Nigerinë, ku katër vite më parë, si pasojë e këtij skandali, u arrestuan tre ministra dhe dy zyrtarë të lartë. Kjo ngjarje është pasqyruar asokohe në mediat më të mëdha ndërkombëtare si BBC, Reuters, CNN etj. Ndërkohë që sipas raportimit të BBC-së mësohet se skandali ka lidhje me dy probleme themelore, që janë karakteristike edhe për Shqipërinë. Sikurse dhe në Shqipëri, asokohe shteti nigerian nuk kishte regjistër themeltar të popullsisë të përditësuar, fakt ky që ndikonte shumë në rregullsinë e zgjedhjeve të këtij vendi. Ndërkohë që ishte firma ”Sagem” ajo që do të krijonte regjistrin e përditësuar themeltar, rezultoi se edhe pse kjo firmë kishte fituar tenderin prej 214 milionë dollarësh për të kryer këtë detyrë, nuk e krijoi regjistrin të përditësuar sikurse parashikohej në kontratë. Ky fakt u bë shkak që opozita të jepte alarmin për manipulimin e zgjedhjeve, pasi logjikisht tenderi prej 214 milionë dollarësh për “garancinë” e kartave të identitetit nuk e kishte kryer misionin. Nisur nga akuzat, firmës ”Sagem” iu caktua një kohë e dytë për të kryer përditësimin, por edhe pasi skadoi afati i dytë, firma ”Sagem” shpërndau vetëm një pjesë shumë të vogël të kartave të identitetit. Sipas mediave ndërkombëtare, një vit pas skadimit të afatit, firma ”Sagem” nuk kishte arritur të shpërndante as 10 për qind të kartave të identitetit. Për pasojë, zgjedhjet e ardhshme në Nigeri u zhvilluan në mungesë të kartave të identitetit. Më tej opozita akuzoi disa ministra se kishin pasur lidhje dhe bashkëpunim antiligjor me këtë firmë, ndërsa këta ministra pak më vonë u arrestuan. Po në Shqipëri ka lidhje paraprake mes kësaj firme dhe zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme?
PAMECA
Në dallim me të gjitha firmat e tjera pretendente për fitimin e projektit për prodhimin e kartave të identitetit, ”Sagem” ka pasur dy herë marrëdhënie kontraktuale me Ministrinë e Brendshme të qeverisur nga demokratët. Nëse i referohesh Raportit të korrikut të vitit 2007 të misionit europian “PAMECA”, në të konfirmohet fakti se është pikërisht firma ”Sagem” e cila menaxhon të gjithë rrjetin e brendshëm kompjuterik të Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë që është posaçërisht Ministria e Brendshme ajo që merret me tenderin dhe procedurat për përzgjedhjen e firmës që do të fitojë projektin për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit. Nëse i referohesh Raportit të PAMECA-s, aty dallohet qartë se specialistët e ”Sagem”-it dhe ata të Ministrisë së Brendshme kryejnë së bashku dhe kontrollet në pika të ndryshme të varura nga Ministria”. Koordinimi dhe zbatimi i Infrastrukturës së Komunikimit të të Dhënave për PSH. Në maj 2007, “Sagem & Page Europa” përfunduan një inspektim pikash në bashkëpunim me një specialist të PSH-së. Një raport i sondazhit është kryer në qershor 2007 kundrejt përfituesit dhe DKE, shkruhet në raportin e PAMECA-s.
Vendimi
Fakti i dytë që lidh zyrtarët e Ministrisë së Brendshme me firmën ”Sagem” e ka zanafillën në një vendim të vitit 2006 të qeverisë ”Berisha” lidhur me firmën që do të përcaktonte parametrat e kartës së identitetit. Duke përdorur procedurën e prokurimit të drejtpërdrejtë, qeveria, më datë 12.04.2006 vendosi: Lejimin e Ministrisë së Brendshme, që, për fondin limit prej 4 000 000 (katër milionë) lekësh, miratuar në buxhetin e vitit 2006, të përdorë procedurën "prokurim i drejtpërdrejtë", me shoqërinë "Smart Card Integrators, Inc, për prokurimin e shërbimit "Konsulencë në procesin e përgatitjes së specifikimeve, teknike, përfundimtare, të kartës së identitetit". Por sikurse rezultoi më vonë, firma "Smart Card Integrators, Inc”, e përzgjedhur ”apriori” nga qeveria, kishte një marrëveshje pikërisht me firmën prodhuese "Sagem", të firmosur në nëntor të vitit 2001. Kuptohet që kjo marrëveshje bashkëpunimi biznesi mes këtyre firmave ka si objekt edhe sipërmarrje të tjera. Sikurse rezultuan hetimet e prokurorëve në Nigeri, ”Sagem” ishte favorizuar nëpërmjet nënkontraktorëve të saj dhe bashkëpunimit të kurdisur me ”prokurim të drejtpërdrejtë”.

BOX
Raporti në Kosovë, “Sagem” shkatërroi bazën e të dhënave

Firma “Sagem”, e cila është një ndër pretendentet për fitimin e projektit për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit në Shqipëri, përveç skandalit të shkaktuar në Nigeri, duket se ka hapur jo pak telashe edhe në Kosovë. “Albania” ka bërë publik dy javë më parë edhe një raport konfidencial, i porositur nga një zyrë hetimore e UNMIK-ut, zbardh abuzimet e kësaj firme edhe në Kosovë. Raporti, i siguruar nga një ish-funksionar i lartë në Kosovë, është porositur nga një zyrë e posaçme e UNMIK-ut dhe më tej i është shpërndarë dhe të gjitha institucioneve qendrore të Kosovës. Pas tenderimit për prodhimin e kartave të identitetit në Kosovë, institucionet e Kontrollit të Brendshëm të UNMIK-ut urdhëruan hetimin e aktivitetit të kësaj firme e për rrjedhojë arritën të siguronin informacionin konfidencial. Ekspertiza e kryer nga “G&D” nuk është protokolluar kurrë, por ka funksionuar si një dokument thuajse sekret, pasi ka qenë vetë kjo ekspertizë që ka evidentuar mbështetjen në shumë raste të firmës franceze “Sagem” nga një pjesë e drejtuesve të UNMIK-ut, që në vitin 1999 (kohë kur kryhej tenderimi) kishte një pjesë të drejtuesve francezë. Rezultatet e punës së kësaj firme janë pasqyruar në raport duke hedhur dritë mbi shumë probleme të dala si pasojë e dështimit të saj. “Më tej taktikat e vonesave të ‘SAGEM’ dhe mungesa e një përgjigjeje të përshtatshme mbi kërkesat e bëra nga klientët e saj; përpjekja fillestare dhe qëllimi i vazhdueshëm për të bllokuar klientin në sistemin e saj të papërshtatshëm; mungesa e shërbimeve të duhura kur ishin të nevojshme, nuk mund t’i atribuohen vetëm kontratës. Ajo reflekton në thelb mbi emrin dhe besueshmërinë e kompanisë, profesionalizmin e saj dhe strategjinë për të shpërndarë me mirëbesim (të cilën duket qartë që nuk e ka bërë)”, - shkruhet në raport.

Nishani: “E kemi zgjedhur, është SAGEM”

Gati një muaj pas zhvillimit të tenderit ndërkombëtar për prodhimin e letërnjoftimeve të reja elektronike të shtetasve shqiptarë dhe pasaportave biometrike, Ministria e Brendshme njoftoi përfundimin e procesit të vlerësimit të ofertave të bëra në lidhje me këtë projekt. Gjatë një konference për shtyp, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u shpreh se për shkak të mungesës së dokumentacionit minimal janë skualifikuar tre prej shtatë ofertuesve. "Sipas vlerësimeve të elementëve të përcaktuar, komisioni për ofertat e paraqitura ka vlerësuar me këtë sistem pikësh, Sagem Securite dhe FSHAN me 93.15 pikë, Zetes Industries dhe Gemalto me 76.54 pikë, Indra Sistemas S.A me 76.41 pikë, Bundesdruckerei me 74.32 pikë", shtoi Nishani. I gjithë procesi i pranimit dhe vlerësimit të ofertave, si dhe procesi i hapjes së zarfeve me ofertat përkatëse, u krye në transparencë të plotë dhe nën monitorimin on-line të kamerave.

26 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›