E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, letër Sheferit: “Gërdeci të mos ndikojë në Samitin e Bukureshtit”

Kreu i PS-së: “Shqipëria, në momentet decizive për aderimin në NATO”. Rama: “Opozita, e gatshme për të kontribuar për anëtarësimin e vendit”

Shaban Sulçe

Në prag të zhvillimit të Samitit të Bukureshtit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka dërguar një letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hup Shefer. Në këtë letër, kreu i selisë rozë shpreh gatishmërinë e Partisë Socialiste dhe opozitës në tërësi për të bashkëpunuar dhe kontribuar jo vetëm në marrjen e ftesës, por edhe në anëtarësimin e Shqipërisë në strukturën euroatlantike. Rama ka falënderuar vendet anëtare të NATO-s për solidaritetin që i ofruan vendit në tragjedinë e Gërdecit, ndërkohë që thekson se kjo ngjarje nuk duhet të ndikojë në vendimmarrjen për dhënien e ftesës për në NATO për Shqipërinë, gjatë Samitit të Bukureshtit.
Letra
Në letrën dërguar zyrtarit të lartë të NATO-s, Rama ka shprehur mirënjohjen ndaj partnerëve ndërkombëtarë për solidaritetin dhe ndihmën që i dhanë popullit shqiptar në momentet e vështira të tragjedisë së Gërdecit. “Në emër të të gjithë shqiptarëve, si lider i opozitës, do të doja t'Ju shprehja mirënjohjen e thellë për shfaqjen e menjëhershme të solidaritetit tuaj ndaj vendit tim në orët e tmerrshme të tragjedisë së 15 marsit. Një fjalë e urtë shqipe thotë, "Miku i vërtetë është miku në nevojë", dhe falë Jush e të gjithë miqve që na u gjendën pranë, ne nuk u ndiem vetëm përballë pasojave të jashtëzakonshme të shpërthimit tronditës, mundëm të shpëtojmë jetë të çmuara të plagosurish e besoj do të mundemi të gjejmë zgjidhje për problemet e rënda të të mbijetuarve. Ashtu siç besoj se do të dimë ta kthejmë këtë dhimbje të thellë në një forcë të madhe për të nxjerrë të gjitha mësimet e duhura nga një tragjedi që nuk ishte rezultat i një fatkeqësie natyrore, por një alarm shumë domethënës për nevojën e madhe të ndryshimeve të mëtejshme e të gjithanshme në rrugën e ndërtimit të një shteti modern e tërësisht të integruar në NATO e në Bashkimin Europian”, - thuhet në letrën e kryesocialistit dërguar Sheferit.
Momentet decivizve
Rama gjithashtu vlerëson momentet decizive, që janë të lidhura me aspiratat dhe realizimin e ëndrrave shumëvjeçare të shqiptarëve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Si asnjëherë më parë në historinë tonë të gjatë si vend, ne shqiptarët ndihemi pranë familjes së popujve të Aleancës së NATO-s, të gatshëm të marrim përsipër përgjegjësinë historike të të qenit pjesë integrale e kësaj aleance. Si asnjëherë më parë, ajo që nisi me aleancën e veteranëve tanë gjatë Luftës së Dytë Botërore është pranë një kurorëzimi të natyrshëm me përfshirjen e Shqipërisë në Aleancën e madhe të vendeve që mbrojnë vlerat e patjetërsueshme të lirisë e të demokracisë. Si asnjëherë më parë, ëndrra e brezit tim është pranë finalizimit, ndërkohë që vigjilja e Samitit të Bukureshtit, nga ku çdo shqiptar pret lajmin e madh të ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, është për ne preludi i një rruge të re ku sfidat janë edhe më të mëdha e përgjegjësia jonë po ashtu”, - vijon kryesocialisti në letrën e tij.
Roli i opozitës
Kryetari i Partisë Socialiste ka siguruar sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s se opozita do të luajë një rol pozitiv dhe kontribues jo vetëm në marrjen e ftesës së Shqipërisë, por edhe në procesin e anëtarësimit të saj në NATO.
“Sot opozita shqiptare është edhe më e angazhuar për të luajtur rolin e saj në përmbushjen e aspiratës së Shqipërisë për integrimin në familjen euroatlantike. Si asnjëherë më parë në jetën e demokracisë sonë të re, ne ndërtuam një proces politik të bazuar jo mbi interesa të ngushta partiake, por mbi interesin kombëtar për të përmbushur detyrimet që do t'i mundësonin Shqipërisë marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO, duke dhënë kontributin e konsensusin tonë për të kryer reformat e identifikuara, nga qytetarët shqiptarë e nga partnerët tanë ndërkombëtarë, si të domosdoshme në këtë pjesë të rrugës së Shqipërisë drejt integrimit të plotë euroatlantik. Më lejoni që në emër të opozitës shqiptare t'Ju garantoj se ne do të bëjmë çdo përpjekje e nuk do të kursejmë asnjë energji për të garantuar jo vetëm ftesën, por edhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një borxh që ua kemi të gjithë atyre që u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë e demokratike dhe atyre që sot janë ende fëmijë e që, pa humbur kohë, duhet të jenë të lirë e të sigurt në gjirin e familjes euroatlantike”, - thekson kryetari i PS-së, Edi Rama, në letrën drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jap de Hup Shefer.

26 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›