Ministria e Mbrojtjes: “Ligjin për armët na e imponoi SHBA dhe BE”
Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar akuzat e ngritura nga opozita në lidhje me ligjin e miratuar nga maxhoranca në Kuvend për armët. Rezart Tërshana, drejtori i Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Mbrojtjes, u shpreh dje se ligji në fjalë është hartuar dhe miratuar në kuadër të detyrimeve që ka vendi karshi Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, por edhe si rezultat i konsulencës së bërë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në. Gjithsesi, drejtori Juridik, Tërshana, bëri të ditur se ndonëse ky ligj ka një vit që është miratuar, ai ende nuk është vënë në zbatim. “Në këto momente, ligji nuk është i zbatueshëm pasi struktura e mësipërme nuk është ngritur akoma. Aktualisht po punohet për ngritjen e strukturës së Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve me qëllim zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj”, - tha Tërshana. Më tej, drejtori Juridik shpjegoi pozicionin e Ministrisë së Mbrojtjes. “Duke marrë shkas nga prononcimet në masmedia dhe në shtypin shqiptar, lidhur me nismën, qëllimin dhe objektin e Ligjit Nr. 9707, datë 5.4.2007, “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportimit të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, - sqarojmë nga ana ligjore se ky ligj ka si objekt kryesor të tij rregullimin e veprimtarisë së kontrollit shtetëror mbi eksportin, importin, tranzitin, transferimin, për materialet ushtarake dhe mallrat e teknologjitë me përdorim të dyfishtë. Ligji i mësipërm rregullon një fushë të pambuluar më parë me legjislacion në Shqipëri. Ky ligj përbën një nga detyrimet që Republika e Shqipërisë duhet të përmbushte në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në dhe është pjesë e Planit Kombëtar të Përafrimit të Legjislacionit Vendas me atë të BE-së”, - tha Tërshana. Drejtori Juridik i Ministrisë u shpreh se është konsultuar me katër institucione ndërkombëtare për hartimin e ligjit. “Lidhur me nismën e miratimit të ligjit të mësipërm, ju vëmë në dijeni se procesi për hartimin e këtij ligji ka nisur që prej vitit 2004, duke bashkëpunuar ngushtë me këto institucione ndërkombëtare si me OSBE-në, PNUD-in, në bashkëpunim me Zyrën e Punëve të Jashtme dhe të Komunuelthit të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe me Autoritetin Kombëtar të kontrollit të eksporteve të Rumanisë, Departamentin e Tregtisë të SHBA-ve (zyra e kooperimit të eksport-importit) dhe me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, në bashkëpunim me Universitetin e Georgias, si dhe Zyrën Federale të Ekonomisë dhe Kontrollit të Eksporteve të Gjermanisë (BAFA), e cila është ngarkuar nga BE-ja për zbatimin e një projekti pilot për hartimin e legjislacionit me vende të treta, në fushën e kontrollit të eksporteve”, - tha Tërshana.
26 Mars 2008