Përsëritet Gërdeci pas 10 ditësh, dy të plagosur nga shpërthimi i predhës
VLORË – Sikur të mos mjaftonte tragjedia e Gërdecit, sërish dje është shënuar një incident i rëndë nga shpërthimi i municioneve, ku dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë. Burime të policisë së Vlorës bënë të ditur se dje, rreth orës 14:30, dy shtetas, Koço Paço, 60 vjeç dhe Pëllumb Keka, 53 vjeç, u plagosën rëndë teksa ishin duke çmontuar një predhë artilerie në mjediset e shtëpisë së Pëllumb Kekës. Sipas këtyre burimeve, dy personat e lënduar nuk kanë qenë ekspertë për çështjet e demontimit dhe teksa po hiqnin gëzhojën, ka ndodhur edhe shpërthimi i predhës. Të lënduarit janë dërguar menjëherë në Spitalin rajonal të Vlorës. Ata janë në gjendje të rëndë, pasi kanë marrë plagë dhe djegie të shumta në trup. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. Burime në grupin hetimor bëjnë të ditur se dy të lënduarit merreshin me aktivitetin e demontimit të predhave prej disa kohësh. Me shitjen e plumbit dhe materialit prej bronzi siguronin të ardhurat për të mbajtur familjen. E gjithë kjo punë bëhej jashtë kontrollit të shtetit, ndërsa municionet siguroheshin në rrugë jozyrtare, nëpër depot e ushtrisë, të shpërthyera pas vitit 1997. Ky incident vjen vetëm 11 ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Gërdec, ku më shumë se 23 persona kanë gjetur vdekjen dhe me qindra të tjerë u plagosën në një fabrikë ku bëhej paketimi i municioneve të ndryshme luftarake.
26 Mars 2008