Sequi: Presidenti i ri duhet të jetë përfaqësues i unitetit të kombit
Të parakohshëm e ka cilësuar kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, debatin e hapur për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Duke folur dje në një intervistë për televizionin “AS”, i pyetur për emrat që kanë qarkulluar së fundmi për postin më të lartë shtetëror në vendin tonë, si dhe deklaratat e dhëna nga selia blu se do të propozojë në këtë post një nga drejtuesit e saj, Sequi nuk ka pranuar të komentojë gjatë teksa ka refuzuar të marrë pjesë në këtë debat që ai e ka konsideruar si spekulim. “Unë mendoj se ky është një diskutim që vjen përpara kohe, sepse pastaj do të arrinim të bënim spekulime. Nuk kemi ende emra, dhe unë e shoh që sipas Kushtetutës dhe dispozitave të saj të gjithë mund të bëjnë propozime dhe të japin kandidatura. Pra ajo që po them, është se nuk kam interes të veçantë për të dhënë, për të bërë spekulime për një skenar të mundshëm të këtij apo atij lloji”, - tha Sequi. Këmbënguljes së gazetarit për identikitin që duhet të ketë Presidenti i ardhshëm, Sequi i është përgjigjur se ai gjendet te Kushtetuta, duke lënë të kuptohet se organizmi që ai përfaqëson në Shqipëri është për një president konsensual.