Braçe: PD ka mbledhur firmat për kandidat politik në raundin e katërt
Deputeti socialist, Erion Braçe, thotë se Berisha i ka poshtëruar duke i lënë jashtë procesit. Ai thotë se nëse Berisha i refuzon sërish, atëherë ata nuk duhet të bëhen pjesë e procesit. Braçe thotë se PS duhet të negociojë vetë me Berishën, nuk ka pse e bën këtë askush tjetër jashtë PS, duke aluduar kështu për rolin e Ilir Metës
Në këtë moment na duhet që të jemi shumë të qartë, të vendosur dhe me një skenar konkret. Duhet ta kishim bërë këtë kohë më parë, por tani është jetike. Sali Berisha nuk ka tentuar të na izolojë (siç tha kryetari), por na ka poshtëruar. I ka takuar të gjithë, madje edhe aleatët tanë, por PS-në e ka refuzuar ta përfshijë në një proces politik për zgjedhjen e Presidentit. Ka vendosur dhe po na mban jashtë këtij procesi me çdo kosto për të dhe për vendin.
Nga kjo pikë duhet të nisemi për të rifituar qartësinë tonë. Për shkak të interesave që ka vendi në procesin e integrimit besoj që do të na duhet që të insistojmë fort në dialogun politik; duhet të rrisim presionin politik kundrejt Sali Berishës duke i kërkuar deri në fund dialog politik dhe synuar konsensus për Presidentin. Nëse Sali Berisha na refuzon përsëri, atëherë po ua them troç mendimin tim: NE NUK DUHET TE BEHEMI PJESE E KETIJ PROCESI!
Nuk është zgjedhja jonë! Sali Berisha zgjodhi të na mbajë jashtë këtij procesi. Nuk do të dialogojë me ne. Kjo që konsumuan me kandidatin Zaganjori dëshmon që nuk ka proces politik dhe konsensual me ne, Sali Berisha thjesht po na njofton për zgjedhjet e tij, por nuk po zgjedh me ne! Në të tilla kushte të hymë në një garë emrash me partitë e qeverisë është e kotë! Pa proces politik dhe konsensual çdo emër i yni është i djegur!
Pra duhet të vendosim tani dhe të kemi skenarin tonë deri në raundin e katërt. Nuk është zoti Zaganjori kandidati i Berishës për raundin e katërt. Unë di që deputetet e PD kanë mbledhur firmat për një kandidat politik! KY DO TE JETE FUNDI I PROCESIT DREJT SHTETIT NJEPARTIAK. KUNDERSHTIA NDAJ SHTETIT NJEPARTIAK DUHET TE JETE BETEJA JONE!
E dyta, PS duhet ti bëjë vetë negociatat, pra PS duhet të negociojë vetë me Sali Berishën në një proces politik. Nuk mund të negociojë për PS askush nga jashtë PS!