E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “Presidenti e ka mendjen te futbolli”

Autori i Lajmit: Redaksia

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ndaj shoqërimeve në polici të protestuesve të Partisë Socialiste, të cilët bllokuan akset nacionale në mbështetje të grevistëve në kauzën për transparencën e zgjedhjeve. Braçe tha se “gjuha e komunikimit për dialog dhe oferta është shndërruar në gjuhë dhune mes protestuesve paqësorë dhe policisë. Ne nuk do të lejojmë më asnjë orë njerëzit tanë nëpër birucat e policisë”. Braçe iu kundërpërgjigj dhe deklaratës së një dite më parë të kryeministrit Berisha se “personazhet Don Kishot dhe Sanço Panço, duhet ti gjejë brenda qeverisë së tij, që përfaqëson ai apo zv.kryeministri i tij”. Sa i përket negociatave të presidentit Topi në zgjidhjen e krizës, Braçe la të nënkuptonte se nuk priste rezultate të frytshme për zgjidhjen e krizës politike, ndërsa ironizoi se këtë javë Presidenti do të jetë i angazhuar me pasionin e tij për futbollin. “Do të doja ta linim rehat Presidentin e Republikës, pasi duke filluar nga sot, kur është finalja e Europa Ligue dhe deri në fundjavë është një javë shumë e ngarkuar sportive dhe Presidenti duhet të jetë i ngarkuar maksimalisht”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 13/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›