E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Prokuroria ta çojë çështjen "Rrëshen-Kalimash" në Gjykatë

Numri dy i grupit socialist i ka kërkuar Kryeprokurores që të japë shpjegimet për lëvizjet në Prokurori
Partia Socialiste shpreh shqetësimin e saj për indiferencën që ka treguar kryeprokurorja Ina Rama ndaj denoncimeve të fundit të korrupsionit, ashtu edhe ndaj kërkesës së grupit parlamentar socialist për sqarime për lëvizjet e fundit në Prokurori. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe duke iu referuar dy denoncimeve për korrupsion nga pushtetarët vendorë në Fier dhe Tropojë, për të cilët dorëzoi në Prokurori dhe dosjet që sipas tij vërtetonin abuzimin e kryer me fondet publike, ka kërkuar nga Kryeprokurorja që të nisë sa më parë hetimet, për të vënë përpara përgjegjësisë abuzuesit. "Të dyja ato dosje i kam dorëzuar me një shkresë përcjellëse në Prokurorinë e Përgjithshme. Për fat të keq, nuk është vetëm ky rast, por ne kemi patur si grup parlamentar një korrespondencë të vazhdueshme me Prokuroren e Përgjithshme të Republikës, për të cilën nuk kemi marrë asnjë përgjigje",- u shpreh Braçe. Gjithashtu ai ka kërkuar përgjigje edhe për shpjegimet që kërkoi nga Kryeprokurorja për 14 transferimet dhe pushimet nga puna që kreu para disa ditësh në organin e akuzës. "Natyrisht, nuk kemi marrë përgjigje as për rastin e fundit, ku kemi kërkuar sqarime të plota, të mjaftueshme nga ana e Prokurores së Përgjithshme, për lëvizjet e fundit në prokurori, veçanërisht ato që lidhen drejtpërdrejtë me hetimin e kësaj afere", - theksoi Braçe. Ndërkohë që në lidhje me çështjen e hetimore të rrugës Rrëshen-Kalimash, ai i ka kërkuar Kryeprokurores që të mbyllë hetimet dhe ta çojë çështjen në Gjykatë, pasi tashmë raporti i KLSH-së ofron faktet e plota për abuzimin e bërë nga pushtetarët me fondet publike të vëna në dispozicion të ndërtimit të këtij segmenti. "Këto janë fakte të mjaftueshme për organin e Prokurorisë së Përgjithshme, për t'i dhënë fund hetimeve, për të mos i zvarritur më tutje ato dhe për të marrë një përgjegjësi penale",- pohoi Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›