PS, starton tryezat për programin mjedisor
Pas përfundimit të takimeve direkte me qytetarët për çështjet e mjedisit, në kuadër të "Dialogut me Shqipërinë", Partia Socialiste ka nisur të mbledhë tryezat, ekspertët dhe intelektualët, për të përpunuar të gjitha sugjerimet e marra dhe për t'i kthyer ato në një produkt për përgatitjen e programit të ardhshëm politik dhe qeverisës. Për këtë qëllim është zhvilluar dje Tryeza e Mjedisit për Tiranën, në të cilën ishin të ftuar për të dhënë kontributin e tyre mbi Enciklikën e Parë për Mjedisin të gjithë të interesuarit e fushës, si politikanë, ashtu edhe nga shoqëria civile. Duke e konsideruar ambientin si një nga çështjet kryesore të cilat kërkojnë një ndërhyrje imediate, të pranishmit në këtë tryezë kanë theksuar nevojën për një angazhim më të madh të politikës, në hartimin e atyre politikave që frenojnë ndotjen e mëtejshme të tij dhe për të shtuar ata elementë të cilët do të ndikonin në përmirësimin e situatës. Sekretari për Çështjet Mjedisore në Partinë Socialiste, Besnik Bare ka kërkuar një angazhim më të madh të specialistëve të fushës në të gjithë këtë proces që socialistët kanë nisur që nga shtatori, si një nga të vetmet mënyra për të dhënë zgjidhje afatgjata për mjedisin në Shqipëri. "Për shkak të mungesës së transparencës, pasi kështu kamuflohen abuzimet, politika ka qenë e interesuar t'i mbajë larg ekspertët e vërtetë. Normalisht ata duhet të jenë prezentë në çdo qeverisje pasi ofrojnë përvojën e tyre, kualifikimin e tyre, e cila nuk ka ngarkesa politike. Është kjo një nga arsyet që në këto 17 vjet ne s'kemi patur politika mjedisore konsistente dhe s'kemi qenë të aftë që të ndalojmë degradimin e burimeve natyrore",- tha Bare. Sipas tij, me gjithë krijimin në vitin 2001 të Ministrisë së Mjedisit, në Shqipëri, performanca e implementimit të legjislacionit është në nivele minimale. "Ne kemi ligje, por ato vlejnë për sirtarët e ministrive. Ato nuk njihen nga publiku, biznesi dhe më keq akoma nuk respektohen. Janë hartuar me mijëra faqe strategjish, plane veprimesh, por nuk janë gjetur mekanizmat e nevojshëm financiarë për zbatimin e tyre, për rrjedhojë, në të gjitha raportet e Komisionit Europian ne kritikohemi për mos implementim të angazhimeve tona ligjore. Në Shqipëri mungojnë politikat profilaktike të ndalimit të degradimit të mjedisit",- theksoi Bare.