E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, LSI-PS shkëmbejnë replika

Dy partitë, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste, shkëmbyen dje replika mes tyre lidhur me qëndrimin për integrimin e vendit në BE. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi se kryesocialisti Edi Rama po tregon me qëndrimin e tij se është kundër integrimit të vendit. "Shqipëria po ecën përpara në procesin e liberalizimit të vizave dhe kjo po vlerësohet shumë pozitivisht nga partnerët ndërkombëtarë, duke realizuar ëndrrën e shqiptarëve, të cilët nga qytetarët më të izoluar 20 vjet më parë, do të mund të lëvizin si qytetarë normalë europianë", tha Vasili. Ai shtoi se është vërtet dëshpëruese që vetëm Edi Rama e përjeton si makth këtë arritje kaq të madhe dhe ndërsa kohë më parë bënte Kasandrën, e thoshte se aplikimi i Shqipërisë nuk do të kalonte, sepse nuk ishin realizuar standardet e zgjedhjeve, vetëm sepse zgjedhjet nuk i fitoi vetë, sot flet e sikletoset për vonesa. Pak orë më vonë, selia rozë, përmes zëdhënëses Armela Imeraj, vërejti se "zoti Vasili, kur guxon të dalë në publik, bën mirë të japë llogari pse i detyron shqiptarët hallexhinj të paguajnë 10 mijë lekë për çdo vizitë në spital dhe pse njerëzit nuk blejnë dot as ilaçet më jetike për shëndetin e tyre? Sa për zëdhënien e Berishës kundër opozitës, le t‘ia lërë Metës që e ka pjesë të kontratës së ‘martesës‘, ku zoti Vasili është thjesht një krushk nga ata që venë në dasma vetëm për të ngrënë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›