Braçe: Qeveria "Berisha", skandal me pronat
Partia Socialiste kundërshtoi dje ligjin për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin, duke i kërkuar ILDKP-së që të verifikojë menjëherë konfliktin e interesat që kanë ministrat dhe familja e Kryeministrit. Deputeti socialist, Erjon Braçe, tha se bëhet fjalë për një sipërfaqe toke që sipas raportit të KLSH-së arrin në 23,5 hektarë, pra 235 mijë metra katrorë, ku 15 klane, ministra, ish-ministra, zv/ministra, guvernatorë, deputetë, biznesmenë, pronësohen përmes grabitjes më të madhe në historinë e Shqipërisë. Braçe tha se secili prej tyre përfiton nga kjo grabitje minimumi 200 m2 truall në mes të pishave, në zonë të mbrojtur, buzë detit në bregdet. "PS i kërkon me forcë ILDKP-së të bëjë detyrën kushtetuese, të verifikojë gjendjen skandaloze të konfliktit të interesit, ku ministra e deputetë miratojnë një ligj që pronëson po ata dhe të kërkojë menjëherë përjashtimin e ministrave e deputetëve të përfshirë në këtë operacion të paligjshëm nga përfitimet prej këtij ligji", nënvizoi deputeti socialist. Ndërsa i kërkoi prokurorisë të nisë hetimet menjëherë për këtë rast flagrant të shpërdorimit të detyrës nga Kryeministri, ministrat përfitues, veçmas ndaj ministrit përgjegjës që ka marrë prej ditësh rolin e dhëmbit të qenit për të kafshuar prona e pasuri të ligjshme për interesa të familjes në pushtet.