E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raportuesi i PE-së, "Mirëdita!" në Parlamentin serb

Raportuesi i Parlamentit Europian (PE) për Serbinë, Jelko Kacin (slloven), duke marrë fjalën ditët e fundit në Parlamentin e Serbisë në Beograd, lidhur me ecurinë e këtij vendi në rrugën drejt Bashkimit Europian, shkaktoi një befasi dhe konfuzion të plotë midis deputetëve serbë, kur ai iu drejtua atyre duke i përshëndetur me fjalën shqip, "Mirëdita"! Qeveria e Serbisë, sikurse shkruan gazeta e përditshme serbe "Pres", reagoi menjëherë, duke e konsideruar këtë përshëndetje në gjuhën shqipe të deputetit të njohur europian në Parlamentin serb si një "veprim skandaloz që synon të provokojë qëllimisht një reagim negativ dhe ta ngadalësojë Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së". Sipas kësaj gazete, kur z. Kacin u pyet se përse kishte përshëndetur në shqip, ai ishte përgjigjur: "Pse në Serbi nuk flitet gjuha shqipe"!?
"Beogradi zyrtar nuk do të bjerë pre e provokacioneve të Kacinit. Ajo që bëri ai (Kacini) është një gjest krejtësisht i pashembullt dhe i pahijshëm. Ky slloven i njeh shumë mirë rrethanat në Serbi, e flet rrjedhshëm serbishten dhe duket shumë qartë se foli me keqdashje në Parlament në gjuhën shqipe. Askush nga personat zyrtarë nuk do të reagojë ndaj një veprimi të tillë, sepse qëllimi i tij është pikërisht të shkaktojë çfarëdolloj reagimi nga ana e qeverisë serbe, me synimin për ta treguar atë (qeverinë) jotolerante", i tha një përfaqësues i lartë i qeverisë së Serbisë gazetës së mësipërme serbe, sipas së cilës përshëndetja e Kacinit në gjuhën shqipe në Parlament kishte ngjallur reagime mjaft të ashpra dhe kritike midis deputetëve serbë, sepse ai, sipas tyre, "kishte ofenduar jo vetëm deputetët e Parlamentit serb, por edhe të gjithë popullin serb".
Media serbe njofton gjithashtu se gjatë takimeve që raportuesi i PE-së për Serbinë kishte zhvilluar në Beograd, ai u kishte thënë mikpritësve të lartë serbë se vendi i Kosovës, ashtu si edhe i Serbisë, është brenda BE-së. "Kosova ka të drejtë të ketë mbrojtësit e vet në PE, si dhe komisionerin e saj, kur për këtë të krijohen kushtet. Bashkëpunimi më i mirë në rajon është rruga më e mirë për të bindur opinionin publik vendës dhe europian se disa vende janë pjekur që të integrohen plotësisht në BE. Hyrja në BE sjell mjaft gjëra pozitive, por që kjo të bëhet e mundur, duhet të rrëzohen muret në kokat tona dhe tuaja. Por, sidoqoftë, më shumë në kokat tuaja! Kanë kaluar më shumë se 20 vjet që nga rënia e Murit të Berlinit, prandaj duhet të orientohemi nga e ardhmja dhe të mendojmë për atë se si ta integrojmë të gjithë rajonin në BE", i vuri në dukje deputeti slloven i PE-së medias serbe. I pyetur nga përfaqësues të kësaj të fundit, që të komentonte qëndrimin e pandryshueshëm, të shprehur në shumë raste nga ana e shtetarëve të lartë serbë, se Serbia nuk do ta njihte kurrë Kosovën, z. Kacin vuri në dukje: "Nuk dua të ofendoj askënd, por rregulli i parë dhe bazë në politikë është: Kurrë mos thuaj kurrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›