E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE miraton me debate rezolutën

Me 551 vota pro, 17 kundër dhe 57 abstenime, dje Parlamenti Europian miratoi Rezolutën për Strategjinë e Zgjerimit të Bashkimit Europian, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor, Islanda dhe Turqia. Me insistimin e grupit socialist dhe atij liberal të Parlamentit Europian, është ndryshuar teksti bazë i rezolutës që bënte fjalë për Shqipërinë, i cili ishte hartuar nga kreu i delegacionit për Ballkanin, eurodeputetja e djathtë, Doris Pack. Në variantin fillestar kishte nota të forta ndaj opozitës, por me insistimin e eurodeputetit socialist, Kristian Vigenin, u vendos në rezolutë që "në Shqipëri duhet një zgjidhje e përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës. Punimet e seancës dyditore i kanë ndjekur edhe deputetët socialistë shqiptarë, Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj. Komisionari europian për Zgjerimin, Olli Rehn, tha se javën që vjen Bashkimi Europian do të ndërmarrë një hap të rëndësishëm përpara me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës. "Zgjerimi ka qenë një promotor kyç i këtij procesi që vazhdon ende ta transformojë Europën Juglindore. Aplikimet e Shqipërisë dhe Malit të Zi për anëtarësim në BE theksojnë vazhdimësinë e fuqisë tërheqëse të BE-së. Kroacia po i afrohet vijës së finishit pas katër vjet bisedimesh intensive. Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia dëshirojnë të aplikojnë", tha Rehn. Gjithashtu ai foli edhe për Maqedoninë, për të cilën tha se i ka përmbushur kriteret politike të Kopenhagës dhe se këto fakte e çuan komisionin të rekomandojë hapjen e bisedimeve, tha Rehn. Sa i përket Kosovës, Rehn vlerësoi se "është mbajtur stabiliteti, ndonëse ende mbetet i brishtë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›