E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Qeveria do të manipulojë financat

Tiranë- Shifrat e dhëna nga FMN-ja për gjendjen ekonomike në Shqipëri u cilësuan nga nënkryetari i Grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, si realiste. Nëpërmjet numrit dy të grupit deputetëve, Partia Socialiste përcolli sot shqetësimin për qëndrimin e qeverisë, e cila kërkon që FMN-ja të mos jetë më në Shqipëri për zgjedhjet e qershorit. Sipas tij, qeveria kërkon të manipulojë financat ndaj kërkon largimin e FMN-së, për zgjedhjet e përgjithshme.

Gjatë një konference për shtyp, ai vuri theksin tek abuzimet e qeverisë me buxhetin e vitit 2009.

“Abuzim total me paratë e shqiptarëve në buxhetin e shtetit dhe që natyrisht shenjat për të cilat i jep buxheti dhe që do t’i diskutojmë javën tjetër në parlament. Natyrisht paralajmërim akoma më i madh i dhunës fiskale që qeveria ka ushtruar edhe përkundrejt vitit 2008, por tashmë e shtrirë gjerësisht edhe gjatë vitit 2009. Realizimi i të ardhurave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka rënë nën nivelin e 91.5 %”- tha ai.

Sipas Braces, këto janë shenjat që Sali Berisha e ka nisur fushatën elektorale përmes rrugës së krimit dhe evazionit fiskal dhe do ta realizojë dhe mbështesë këtë fushatë me paratë që duhet të derdheshin ligjërisht në buxhetin e shtetit, por që u lejohen në mënyrë kriminale bizneseve klinetë të qeverisë së Sali Berishës për të blerë votat në zgjedhjet e afërta.

“Për këtë arsye abuzimi me ligjin, veçanërisht atë fiskal, dhunën fiskale ndaj biznesit dhe shmangia e detyrimeve ligjore, veçanërisht për këtë kategori që është kliente e Sali Berishës dhe mbingarkimi me detyrime fiskale i biznesit të ndershëm, do të ndodhë fort gjatë 6 muajve që vijnë”- deklaroi Brace, duke kërkuar garanci më shumë dhe FMN është një garanci më shumë për të mbikqyrur fort qeverinë për në vazhdim.

Kjo, sipas tij është edhe arsyeja pse qeveria nuk do të rinovojë për 6 muajt e tjerë marrëveshjen dhe do ta bëj pas 6 muaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›