Sulmuan policin në Dibër, arrestohen 2 të rinj
Peshkopi- Dy persona banues të qytetit të Peshkopisë janë arrestuar nga policia vendore nën akuzën e kundërshtimit të forcave policore dhe goditjen e një polici për shkak të detyrës. Ngjarje, ku ka mbetur e plagosur në këmbë edhe një kalimtare, në kohën që polici ka shtënë në ajër me armë dhe plumbi ka bërë rikoshetë.
Burime nga drejtoria e policisë Dibër bëjnë të ditur se në orët e pasdites u arrestuan në flagrancë, Ervin Spahiu, 26-vjeç dhe Daniel Tuka, 19-vjeç, pasi janë konfrontuar me policin roje të komisariatit të Peshkopisë dhe e kanë goditur atë.
Shkaku i goditjes së policit Halit Selishta nga fshati Brezhdan, nisi rreth orës 13.30, kur Ervin Spahiu së bashku me shokun e tij Daniel Tuka, i ishin drejtuar komisariatit për të marrë makinën e Spahiut, një tip benz, e cila ishte e bllokuar në mjediset e këtij komisariati për shkak të mungesës së dokumenteve.
Sipas burimeve policore, të dy personat i janë drejtuar policit të rojes se do të hynin të merrnin makinën e Spahiut, por ai ka insistuar se në mjediset policore nuk mund të hyhet pa leje dhe se makina mund të jepej vetëm sipas rregullave. Të rinjtë nuk e kanë pranuar përgjigjen dhe janë konfrontuar me policin në kohën që ky ka lënë punën.
Në këtë kohë ata i kanë dalë përpara dhe pas zënkës dhe sharjeve, polici është goditur, madje sipas komunikatës policore atij është tentuar t’i merret pistoleta që mbante në brez, por pikërisht në këto momente polici Selishta ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në ajër.
Plumbi i parë ka shkuar lart, ndërsa në goditjen e dytë plumbi ka bërë rikoshet duke zënë në këmbë një kalimtare, e cila është plagosur, por pas dërgimit në spital ka rezultuar pa rrezik për jetën.