E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Qeveria ka “tharë” fondet për investimet në mirëqënie



Nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erjon Braçe k akuzuar qeverinë dje se ka ulur në mënyrë drastike fondet e ministrive për disa nga investimet që lidhen drejtëpërdrejt me mirëqënien e qytetarëve. “Në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës shkurtohen 14 milion dollarë fonde, ndër të cilat 12.5 milion dollarë janë në zërin mbështetje për zhvillim ekonomik, për të cilin Shqipëria ka jashtëzakonisht nevojë. Në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, shkurtohen 3.1 milion dollarë, ndër të cilat 1.8 milion dollarë shkurtohen në zërin menaxhim të infrastrukturës të kullimit dhe ujitjes, për të cilët shqiptarët, veçanërisht ata që merren me bujqësi, ulërin çdo ditë, për pikën e ujit. Për të vazhduar me ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe të Telekomunikacionit, shkurtohen 197 milion dollarë fonde, ndër të cilat 157 milion dollarë shkurtohen në zërin rrjeti i rrugëve nacionale. Kjo shifër përfaqëson, vlerën e kontratave në segmente Shkodër-Hani Hotit, që nuk po fillon dhe që nuk dihet se kur do të fillojë pavarësisht planifikimit. Në segmentet Lushnjë-Fier, që nuk po mbaron që dhe që nuk dihet se kur do të mbarojë, pavarësisht se është inaguruar fillimi i punimeve në shtator të vitit 2005”, - ka deklaruar Braçe. Ai ka bërë të ditur se shkurtime ka patur edhe në Ministrinë e Arsimit duke u shprehur se “në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, prioriteti i madh i qeverisë së Sali Berishës, shkurtoi 16.9 milion dollarë fonde. Në zërin arsim bazë shkurtohen 5.9 milionë dollarë, në zërin arsim i mesëm i përgjithshëm 6.7 milion dollarë, në zërin arsim i mesëm profesional 2.3 milion dollarë dhe në zërin arsim universitar 1.7 milion dollarë. E gjitha kjo, në kushtet kur gjithsecili nga ne e ka në vëmendje se ç’ndodh në shkollat publike. Natyrisht, që kjo nuk është në vëmendjen e Sali Berishës, sepse Sali Berisha ka zgjedhur që fëmijët e tij t’i shkollojë, nipërit dhe mbesat t’i shkollojë në shkolla private përkundrejt asaj pagese marramendëse, që është në shkollat private”, - ka akuzuar Braçe. Sipas tij qytetarët shqiptarë duhet ta dinë, që për emergjencat e tyre shkurtohen 14.8 milionë dollarë fonde, që do të thotë, që nuk do të ketë më zjarrfikësin tek dera e shtëpisë, atëherë kur mundet. “Dhe në fund në Ministrinë e Mbrojtjes shkurtohen 2.7 milionë dollarë fonde dhe ku, në mbështetje shëndetësore, që do të thotë po shkurtohen paratë për modernizimin e spitalit ushtarak apo të spitaleve të tjera ushtarake, që për fat të mirë janë dëshmitaret më të mira në vend, që ju shërbejnë gjithnjë e më tepër qytetarëve, jo thjesht ushtarakëve. Pra vlera në total, e përmbledhur nga qeveria e Sali Berishës dhe e votuar nga Kuvendi i Shqipërisë në këtë dokument është 286 milionë dollarë që natyrisht, do t’ju shkurtohen shqiptarëve nga investimet e tyre publike”, - ka theksuar Braçe.

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›