E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënimi, deputeti Balla takim me zyrtarë të ambasadës amerikane

Përfaqësuesit e ambasadës marrin të dhëna për konfliktin. Amerikanët të shqetësuar pas kërcënimit të kryeministrit

Habjon Hasani
Një përfaqësi e ambasadës amerikane është takuar pak ditë më parë me deputetin Taulant Balla, ndërsa deputeti ëshë pyetur hollësisht lidhur me incidentin që ka patur me kryeministrin Berisha në Kuvend. Nisur nga cilësia e dobët e kasetës së filmuar nga Kuvendi, amerikanët kanë kërkuar të dëgjonin edhe nga vetë Balla versionin e tij lidhur me atë që kishte ndodhur. Një burim shumë pranë zotit Balla, i tha dje “Albania”-s se “ndër të tjera përfaqësuesit amerikanë i kanë kërkuar zotit Balla të dhëna edhe në lidhje me marrëdhëniet mes tij dhe kryeministrit para këtij incidenti. Balla sakaq është pyetur edhe në lidhje me qëndrimin e tij në lidhje me kërcënimet për eleminim fizik nga ana e kryeministrit”, - saktëson burimi. Mësohet se kanë qenë vetë përfaqësuesit e ambasadës që i kanë telefonuar deputetit Taulant Balla, duke e ftuar që të linin një orar takimi me një përfaqësi të ambasadës, ndërsa gjatë takimit amerikanët janë interesuar vetëm në lidhje me konfliktin e bujshëm të Ballës me Berishën.
Parandalimi
Gjatë takimit të zhvilluar mësohet se përfaqësia e ambasadës amerikane e ka cilësuar si “shumë serioze” atë që ndodhi mes Ballës dhe kryeministrit Berisha në Kuvend. Amerikanët nuk kanë fshehur as preokupimin e tyre ndërsa e kanë pyetur deputetin lidhur me sigurinë e tij. “ Deputeti Balla është pyetur edhe në lidhje me masat e sigurisë apo kontaktet që mund të ketë patur me autoritetet e zbatimit të ligjit pas këtij incidenti. Pra amerikanët deshën të mësonin nëse policia apo organe të tjera të zbatimit të ligjit kishte ofruar mbrojtje të veçantë për deputetin pas incidentit”, ka theksuar burimi, ndërsa shton se deputeti Balla ka paraqitur situatën e tij konkrete lidhur me nivelin e tij të sigurisë. Mësohet se takimi nuk ka zgjatur shumë ndërsa Balla dhe përfaqësuesit e ambasadës amerikane kanë shteruar detajet dhe problemet kryesore në lidhje skandalin që përfshiu parlamentin pas fyerjeve dhe kërcënimeve që kryeministri bëri ndaj Ballës.
Përplasja
Kryeministri Sali Berisha ka kanosur për vrasje deputetin e opozitës, Taulant Balla. “Ta dish mirë se do të vras! Ti nuk shkel më i gjallë në këtë Parlament. Unë do të të vras!”, - ishin këto fjalët kërcënuese me të cilat shefi i qeverisë paralajmëroi ligjvënësin socialist gjatë punimeve të djeshme kuvendore, që degjeneruan rreth orës 01:50. Jashtë çdo etike morale, me një fjalor tërësisht banal e poshtërues, kryeministri kanosi Ballën vetëm sepse ky i fundit nga foltorja e Kuvendit deklaroi se “për shkak që ka dalë emri i vajzës së Sabri Godos për ministre të Shëndetësisë, kryeministrit i ka plas sherri në shtëpi, se dhe vajza e tij do me u bërë dhe ajo ministre, pse jo dhe kryeministre”. Ndaj Ballës u tentua madje të ushtrohej dhe dhunë fizike nga tre ligjvënësit demokratë, Edi Paloka e Rahim Kaleci si dhe nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, të cilët disa herë u orvatën ta godisnin atë me grusht në fytyrë. Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka kërkuar ndërhyrjen e Gardës për nxjerrjen jashtë të deputetit Balla, gjë që ka sjellë dhe ndërprerjen më pas të seancës. “Kapeni për zhelesh e nxirreni jashtë!”, - tha Topalli. Por pavarësisht kërcënimeve të saj në adresë të punonjësve të Gardës: “Nxirreni urgjent jashtë atë vagabond, se do ju shkarkoj!”, ata kanë mbajtur një qëndrim vërtet dinjitoz në respekt të ligjit. Më pas opozita ka braktisur punimet, ndërsa shefi i qeverisë ka marrë një kafe për t’u qetësuar.

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›