Braçe: “Raporti i KLSH-së zbulon abuzimet e maxhorancës në tendera”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, duke iu referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2008, ka bërë të ditur se maxhoranca dhe qeverisja e saj kanë vjedhur në tendera. Braçe ka bërë të ditur se ky raport zbardh masën e korrupsionit të kësaj administrate. “KLSH është një institucion kushtetues dhe ka atribute ekskluzive mbi kontrollin e ligjshmërinë e përdorimit të parave publike të shqiptarëve. Sali Berisha kishte premtuar se KLSH-ja, reagimi ndaj raporteve të tij, marrja e masave në raport me propozimet e tij do të ishte vijë sjelljeje e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit. Ky burrë nuk e mban fjalën, ky kryeministër gënjen. Ndërsa hesht për një dokument zyrtar të një institucioni kushtetues, Sali Berisha bën faj kur refuzon rekomandimet e KLSH-së, shkon në krim kur rekomandimet e refuzuara synojnë uljen e kostove e mbi të gjitha të dëmeve ndaj parave të shqiptarëve”, - është shprehur Braçe duke akuzuar kryeministrin Berisha. Sipas Braçes, Berisha dhe qeveria që ai drejton nuk kanë marrë në konsideratë propozimet e KLSH-së për uljen e kostos së ndërtimit të Rrugës Rrëshen-Kalimash. “Ky rekomandim merr rëndësi kur: 82 % e buxhetit të investimeve publike për vitin 2009 në MPPTT do të shkojnë në këtë rrugë. Vetëm në 2 muajt e parë të vitit nga 100 mln $ investime, 80 mln $ janë paguar në këtë rrugë. Vlera e investimeve në rrugë, e rritur disa herë nga qeveria, është e barabartë me vlerën e paguar për ndërtimin rrugëve Tiranë-Vorë, Fushë-Krujë-Laç, Lezhë-Shkodër, plus Tiranë-Durrës-Rrogozhinë-Lushnje-Fier, plus Rrogozhinë-Elbasan-Librazhd-Qafë-Thanë dhe Pogradec-Korçë-Kapshticë, plus ato që do të ndërtohen: Fier-Vlorë, Fier-Tepelenë-Gjirokastër”, - është shprehur Braçe. Ai u shpreh se PS-ja nuk beson se segmenti rrugor nga Miloti në Morinë do të përfundojë brenda muajit qershor, ashtu sikurse ka premtuar kryeministri Berisha. Sipas tij, kjo rrugë do të përfundojë kur PS-ja të vijë në pushtet. Më tej Braçe, duke iu referuar raportit të KLSH-së, solli dhe raste të tjera abuzimi me tenderat në të gjitha rrethet e vendit. Në përfundim, ai kërkoi që raporti i KLSH-së të futej në axhendën e diskutimeve parlamentare të kësaj legjislature dhe të mos shtyhej pafundësisht.
3 Prill 2009