E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleksandër Moisiut pritet t’i akordohet “Nderi i Kombit”

03/04/2009  Do të ngrihet dhe një bust i tij

DURRES- Bashkia e Durrësit dhe muzeu që mban emrin e aktorit të madh shqiptar me famë botërore Aleksandër Moisiu pritet të formulojë këto ditë kërkesën drejtuar institucionit të presidencës në të cilën do të sugjerojë që Moisiu të fitojë titullin “Nder i Kombit”. Kjo kërkesë është artikuluar fillimisht nga drejtori i muzeut Edmond Agolli dhe më pas është përforcuar nga kryetari i bashkisë Vangjush Dako. Moisiu ka qenë protagonist i një bisede dhe simpoziumi organizuar në Durrës në ditën e 130-vjetorit të lindjes së Artistit të Popullit. Në këtë përvjetor lindjeje historianë, autorë të teksteve, drejtues vendor, aktorë e artistë, intelektualë dhe nxënës shkolle kanë sjellë të freskëta vlerësime e kujtime të shumta të afruara nga personalitete të mëdha të kulturës dhe letrave botërore për Moisiun. Ndonëse Durrësi është vendi i origjinës së artistit të madh shqiptar, eshtrat e të cilit prehen në Zvicër, nuk ka ende një monument, bust, obelisk që t’i kushtohet këtij artisti të përmasave botërore. Kjo ka nxitur të pranishmit të miratojnë mendimin e dhënë nga skulptori Idriz Balani për të përjetësuar edhe në bust emrin e Moisiut. Dy herë bashkia ka veçuar fondin për të gatuar bustin e Artistit të Popullit, por fondet janë djegur për shkaqe banale. Këtë herë Dako duket se ka vendosur të nxjerrë fondin nga arka e bashkisë shumën e 10 milionë lekëve për të ndërtuar bustin e vendosur në një kolonë 2.5 metër të lartë të veshur me perde skene.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›