Kuvendi, 1 minutë heshtje për heronjtë e 2 prillit
Deputetët kanë mbajtur gjatë seancës së djeshme 1 minutë heshtje në nderim të heronjve të masakrës së 2 prillit, ku humbën jetën katër të rinj shkodranë gjatë një proteste kundër regjimit komunist në vitin 1991. Deputeti i Partisë Demokristiane, Frrok Gjini, ka kërkuar përkujtimin e kësaj ngjarjeje dhe zbardhjen e saj ndërsa ka shtuar se krimet e komunizmit nuk janë dënuar ende. 18 vjet më parë, gjatë një demonstrate antikomuniste në qendër të Shkodrës, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Çeka dhe Nazmi Kryeziu mbetën të vrarë në përpjekjet për të sjellë pluralizmin në Shqipëri. Katër të rinjtë e vrarë janë shpallur "Heronj të demokracisë". Tashmë, 2 prilli i vitit 1991 ka hyrë si një ditë shumë e veçantë në kujtesën e qytetit të Shkodrës, sepse ajo shënoi ndryshimin e sistemit dhe çdo vit në kuadër të kësaj ngjarjeje të madhe zhvillohen ceremoni në kujtim të katër dëshmorëve të demokracisë.
3 Prill 2009