E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Nuk tërhiqemi nga qëndrimi ynë për hetim të pakushtëzuar të zgjedhjeve”



Eneida Jaçaj
Partia Socialiste nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj për hetimin e zgjedhjeve e pakushtëzuara. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje, në bashkëbisedimin me gazetarët, e ka cilësuar si një tjetër progres pozitiv të betejës së opozitës deklaratën e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joae Soares, për hetim kuvendor të zgjedhjeve në respekt të Kushtetutës. Kreu i PS-së garantoi se mandatet e deputetëve nuk do të digjen dhe se 6 marsi është një ditë e zakonshme. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Rama tha se në vendim është shprehur forma më kuptimplotë e përgjigjes për atë që ai e cilësoi dilemë të ngritur enkas nga ana e pushtetit thjesht për të shmangur hetimin parlamentar të plotë dhe të tërësishëm.
Dy ditë më parë ambasadorët e Bashkimit Europian bënë apel për zgjidhjen e krizës brenda datës 6 mars, çka do t’i lejojë opozitës të kthehej në Parlament, ndryshe rrezikohet integrimi i vendit në BE.
Deklarata
“Hetim i plotë i zgjedhjeve do të thotë hetim i pakushtëzuar, sigurisht bazuar mbi Kushtetutë dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka interpretuar dhe i ka dhënë formë të qartë çështjes së hetimit parlamentar në tërësi”, - vlerësoi Rama. Kryesocialisti tha se e drejta për hetim të pakushtëzuar të zgjedhjeve është e legjitimuar. “Hetimi ynë parlamentar synon dy drejtimet kryesore; nxjerrja e përgjegjësive për deformimet në procesin e administrimit të votës dhe nxjerrja e konkluzioneve për përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor”, - tha Rama teksa lexoi para gazetareve vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Rama cilësoi si alibi pretendimin e Partisë Demokratike në pushtet se opozita po kërkon të hetojë vendimin e Gjykatës. “Nuk po hetojmë vendimin e gjykatës, ky është karrem që ka hedhur qeveria. Ne nuk kemi paraqitur asnjëherë dhe në asnjë rast pretendimin për të hetuar një vendim gjykate”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “qysh në krye të herës e kemi njohur rezultatin e zgjedhjeve. Në rast se nuk do ta njihnim rezultatin e zgjedhjeve, nuk do të njihnim as qeverinë, as Parlamentin, por do të ishim në kushtet e një lëvizjeje antipushtet. Referimi i vazhdueshëm ndaj vendimit të Gjykatës është truk i qeverisë për të shmangur hetimin e zgjedhjeve”.
Ngjarja
Kreu i PS-së ka kërkuar zbardhjen e plotë dhe të menjëhershme të ngjarjes së ndodhur para dy ditësh në mëngjes, kur makinës së kryetarit të PS-së në Vlorë i është vendosur një sasi e konsiderueshme lënde djegëse dhe kapsollë detonatore. Policia nuk ka dhënë ende asnjë version të ngjarjes, ndërsa ka deklaruar se po hetohej intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. “Është rast jashtëzakonisht i rëndë që ka revoltuar të gjithë njerëzit tanë dhe kërkojmë zbardhjen pa humbur kohë. E patolerueshme që një ngjarje e tillë të ndodhë dhe e patolerueshme që për një ngjarje të tillë të mos ketë sensibilizim dhe prononcim nga ana e pushtetit”, - u shpreh Rama.

Felaj: “Pa hapjen e kutive, vetëm protesta deri në largimin e qeverisë”

Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, deklaroi dje se pa hapjen e kutive do të ketë protesta deri në largimin e qeverisë. Ajo hodhi akuza në drejtim të zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, duke e cilësuar si tradhtar. “Ilir Meta turpëroi Skraparin me tradhtinë e tij pas 28 qershorit dhe sot. Si deputete e Beratit, e Kuçovës dhe Skraparit, shpreh keqardhjen time që ky njeri ha përditë turpin me bukën e pazarit të qeverisë. Çfarë turpi për Shqipërinë ky ministër i Jashtëm që fyen inteligjencën e shqiptarëve, duke folur përditë broçkulla në prehrin e Sali Berishës! Por këto broçkulla nuk na ndalin, vetëm na bindin më shumë në drejtësinë e betejës tonë”, - u shpreh deputetja Felaj.

20 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›