E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA dhe OSBE: Tryeza e Topit të prodhojë zgjidhje të shpejtë

 
Përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-ve dhe të OSBE-së kërkuan nga PS dhe PD që të mos e dështojnë tryezën e së shtunës në Presidencë
 
Kreshnik KUçAJ
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe OSBE bënë thirrje që palët të dalin me një zgjidhje nga tryeza presidenciale e së shtunës me qëllim që të angazhohen në programin euroatlanik të vendit. Selitë diplomatike respektive thanë po ashtu se mirëpresin dhe mbështesin fuqimisht rolin e presidentit në zgjidhjen e krizës politike.
Ndërsa po afrohet ora e takimit ballafaques mes liderit të mazhorancës, Sali Berisha dhe atij të opozitës, Edi Rama, përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të prezencës së OSBE-së në Tiranë kërkojnë që të palët të ngrihen nga tryeza pa një zgjidhje për krizën politike. Njëri pas tjetrit, ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs i Dytë dhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, reaguan zyrtarisht në mbështetje të presidentit Bamir Topi, si organizator i tryezës Rama-Berisha. Në mesazhin e tij, ambasadori amerikan tha se kjo tryezë duhet të prodhojë zgjidhjen pa vonesë të ngërçit politik. “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e Presidentit Topi dhe Këshillit të Europës për të ndërmjetësuar bllokimin e vazhdueshëm të situatës politike. Në këtë kontekst, ne përshëndesim udhëheqjen e Presidentit Shqiptar Topi në mbikëqyrjen e diskutimeve midis qeverisë dhe opozitës, që do të fillojë më 13 shkurt. Ne besojmë se ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik”, tha në mesazhin e tij përfaqësuesi i qeverisë amerikane në Tiranë. Më tej, Uidhërs i bëri apel mazhorancës dhe opozitës, që të përfitojnë të dyja palët nga kjo mundësi që ofron tryeza, pasi kështu do të mund të prodhohej një zgjidhje e shpejtë e ngërçit që do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhendën euroatlantike të Shqipërisë. Edhe përfaqësuesi i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, u shfaq dje me të njëjtin vlerësim dhe njëzëri me përfaqësuesin diplomatik të SHBA-ve, kur doli në mbështetje të hapur të tryezës së organizuar nga presidenti, për të cilën tha se pret që të prodhojë një zgjidhje për situatën politike. Në mesazhin e tij, Bosh tha se kjo tryezë është një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ngrohtësisht nismën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të organizuar një tryezë politike të rrumbullakët ditën e shtunë, si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual. I mirëpresim gjithashtu edhe reagimet publike pozitive të drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste lidhur me pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe aktive për të shqyrtuar bashkërisht mënyrat në të cilat mund të kapërcehen vështirësitë”, tha në reagimin e tij zyrtar Robert Bosh. Reagimi i diplomatëve në Tiranë vjen në një kohë që palët politike kanë shfaqur gatishmërinë për të marrë pjesë në tryezën që do të mbahet kësaj të shtune. Pavarësisht qëndrimeve të mbajtura nga kreu i mazhorancës dhe ai i opozitës, nivelet e mëposhtme partiake po “ziejnë” me deklarata të forta akuzuese dhe kundërshtuese ndërmjet tyre, gjë e cila ashpërson klimën e negociatave, që zyrtarizohen pas pak ditësh.
 
 
 
Topalli: Socialistët do t’i japin fund shpejt bojkotit
 
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh e sigurt dje, se deputetët socialistë do të kthehen në Kuvend së shpejti, duke ndërprerë kështu bojkotin. Topalli nuk dha ndonjë datë të saktë nëse kjo do të ndodhë gjatë tryezës së negociatave apo pas saj, por saktësoi vetëm se jeta parlamentare do të kthehet në normalitet. Këtë deklaratë Topalli e bëri në takimin që zhvilloi në ambientet e kryesisë së Kuvendit në Tiranë me homologun e Malit të Zi, Ranko Krivokapiç. Këtë qëndrim, kryetarja e Kuvendit e mbështeti më shumë në plotësimin e afatit 6-mujor që parashikon Kushtetuta për mungesat në parlament, sesa në rezultatin e tryezës së organizuar në Presidencë. “Kam 6 muaj që pres që të ndalet bojkoti. Nëse kjo ndodh para tryezës, gjatë tryezës apo pas tryezës, e rëndësishme është që të ndalet bojkoti dhe të hyjmë në normalitetin e jetës parlamentare dhe politike. Unë jam optimiste. Jemi në afatet e fundit të skadencës së mandatit të çdonjërit prej deputeteve, që ende nuk kanë ardhur për të bërë betimin dhe nuk janë paraqitur në parlament. Unë jam e sigurt se bojkoti do të marrë fund si mjeti më i papërshtatshëm”, tha Topalli. Po ashtu, kryetarja e Kuvendit përsëriti ftesën për deputetët socialistë që të futen në parlament para datës 4 mars, kur është edhe seanca e fundit në të cilën deputetët socialistë mund të bëjnë betimin. Topalli fajësoi Ramën për bojkotin e deputetëve socialistë. “Përsëris ftesën për çdo deputet, emër për emër, ndërgjegjes së tyre shoqërore dhe politike, ejani në parlament, keni vendin tuaj, keni hapësirën tuaj, bëni detyrën për të cilën ju ka votuar populli. Jam e sigurt se bojkotit po i vjen fundi. Bojkoti ka vetëm një emër dhe emri është i zotit Rama”, tha Topalli. Ky qëndrim i Topalli i mbështet edhe nga homologu i Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, i cili është përballur edhe vetë si kryekuvendar me një bojkot të deputetëve. Ndërkohë, gjatë takimit të djeshëm, dy kryetarët e kuvendeve ndanë të njëjtën ide, se Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të nxisin njëri-tjetrin drejt qëllimit të përbashkët: anëtarësimin në Bashkimin Europian.
 
 
PS: Topalli, diversion bajat
Deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni, reagoi dje ndaj deklaratave të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, duke i cilësuar ato diversion “bajat” në prag të tryezës së negociatave. Duke iu referuar deklaratës së kryekuvendares, se socialistët do të ndërpresin së shpejti bojkotin, deputetja socialist tha se bojkoti vazhdon dhe nuk do të ndalet për aq kohë sa nuk do të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Spikerja e Kuvendit ta lërë diversionin e saj bajat, të paktën në prag të tryezës së presidentit. Mandatet e Partisë Socialiste janë  mandate të popullit opozitar; as Jozefina e as Saliu nuk i prekin dhe as i djegin apo përvetësojnë dot përmes diversionit ndaj PS-së. Bojkoti vazhdon dhe nuk do të ndalet për aq kohë sa nuk do të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Vetëm transparenca e rikthen PS-në në Kuvend,ndërsa kutitë e mbyllura do të rinxjerrin popullin në rrugë. Të hapen kutitë, për t’i dhënë fund bojkotit”, tha Gjermeni.
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›