Braçe: Sot, mocioni i shkarkimit për Topallin
Forumet e PS-së pritët të marrin një vendim mbi mocionin e shkarkimit të Topallit
TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli do të mbahet mend në historinë e parlamentarizmit shqiptar jo vetëm se është gruaja e parë e zgjedhur në këtë post, por edhe për numrin e mocioneve të shkarkimit drejtuar një kryetari të Kuvendit. Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe ka deklaruar dje se, sot, Partia Socialiste përmes forumeve të saj do të vendosë për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Braçe e ka akuzuar këtë të fundit, se po e kthen Kuvendin në një gjykatë. Nënkryetari i grupit të PS-së ka marrë shkas edhe nga qëndrimi i fundit i Kryetares së Kuvendit, lidhur me organin e akuzës. Dy ditë më parë, gjatë mbledhjes së Këshillit të Rregullores, Kryetarja e Kuvendit deklaroi se, Prokuroria kishte fshehur dokumentet lidhur me hetimin e ngjarjes së Gërdecit. Kjo është edhe arsyeja për të cilën socialistët shprehen se Kryetarja e Kuvendit, tashmë po merr edhe kompetencat e kreut të organit të akuzës. “Nesër do të merret një vendim mbi mocionin e shkarkimit të Topallit, e cila dita-ditës po merr kompetencat e Kryeprokurores. Berisha dhe Topalli, janë kundër ndarjes së pushteteve dhe po pengojnë prokurorinë të hetojë ngjarjen e Gërdecit. Kuvendi duhet ta braktisë rolin e gjykatës speciale”,- tha dje Braçe. Nënkryetari i grupit socialist e ka një përgjigje edhe për kryeministrin Sali Berisha, pas qëndrimit thuajse unik të mbajtur nga deputetët e djathtë në mbledhjen e Këshillit të Rregullores për të mbështetur ish-Ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të cilin ka tashmë një kërkesë zyrtare nga ana e organit të akuzës, për heqjen e imunitetit këtij të fundit. “Sali Berisha dhe Jozefina Topalli kanë shpallur luftë me veprime të qarta dhe të qëllimta politike, në institucionet që drejtojnë politikisht, institucioneve të angazhuara për të zbuluar, goditur dhe ndëshkuar korrupsionin, veçanërisht luftë ndaj atyre që po hetojnë krimin e shekullit me 26 të vrarë dhe 300 të plagosur. Qëndrimi i Sali Berishës dhe Jozefina Topallit kundër prokurorisë, caktimit të një kufiri kriminal, në rangun e vrasjeve, deri ku duhet të arrijë akuza dhe mbrojta ballazi e të dyshuarve për këtë krim, tregojnë qartë gjithë përfshirjen e shtetit politik të Sali Berishës në këtë krim dhe jo pafajësinë e tij”,- tha dje Braçe. Pikërisht sa më sipër, grupi parlamentar i PS-së, por edhe kryesia e kësaj partie priten që të mblidhen sot, me qëllim hartimin e një kërkese zyrtare ndaj Kryetares së Kuvendit.