E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregti letrash te ushqimet

 

Në të gjithë botën, vlerësohet se bankat po përfitojnë para nga kriza e çmimeve

Udhëheqësit botërorë pritet të takohen në Romë nesër për një samit emergjence në lidhje me rritjen e çmimeve të ushqimeve. Aktiviteti është organizuar na Organizata Botërore e Ushqimit. E gjithë bota po vuan rritjen e çmimeve dhe në shumë vende për këtë situatë po kërkohet një përgjegjës. Disa akuzojnë përdorimin e drithërave për prodhim karburanti, disa të tjerë, akuzojnë gjigantët e financës botërore.

Kontratat e së ardhmes

Disa zyrtarë të OKB-së, si dhe shumë vende, akuzojnë si përgjegjës për çmimet e larta, rolin e kontratave të së ardhmes (futures) si dhe praktikat proteksioniste të vendeve të ndryshme. Kontratat e së ardhmes, janë një praktikë e zakonshme e tregtisë botërore të lëndëve të para sot. Ajo konsiderohet si një tregti në tavolinë, duke shkëmbyer dokumente, firma e para, por ku ata që shesin e blejnë, nuk e shohin kurrë mallin që shkëmbehet. Kompani të ndryshme që nuk prodhojnë vetë asgjë, nënshkruajnë kontrata për të blerë drithin apo naftën që do të prodhohet pas gjashtë muajsh apo pas një viti. Deri në ditën kur drithi do të korret, kontrata ka kaluar në shumë duar dhe çdo herë që kalon nga njëri blerës te tjetri, çmimi rritet. Tregtia e letrave të grurit që do të prodhohet në Ukrainë apo Rusi, kryhet nga banka që veprojnë në Europë. Këto banka kryejnë gjithashtu parashikime për ecurinë e çmimeve, të cilat shpesh i bëjnë publike, duke shkaktuar një rrjet vicioz. Zyrtarë të OKB-së akuzuan muajin e kaluar se përzierja e bankave në tregtinë botërore të drithit, ka shkaktuar pjesërisht edhe rritjen e çmimeve, si dhe është përgjegjëse për krizën aktuale. Për më tepër, gjigantë të financave janë në gjendje që jo vetëm të tregtojnë grurin e një vendi të largët në treg botëror, por ndikojnë edhe në kërkesë-ofertën e mallrave. India ndaloi javën e kaluar kontratat Futures për tregtinë e orizit, me shpresë se në këtë mënyrë do të ndalë kontrollin e tregut të ushqimit bazë në vend nga institucionet financiare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›