E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria "tërhiqet" për Gërdecin

Frika nga protestat ka bërë që qeveria të tërhiqet nga vendimi i saj për nxjerrjen me forcë të banorëve më 1 qershor

Banorët e Gërdecit, edhe një javë në Kovaleshencë

DURRËS- Qeveria bën tërheqjen e parë në masat e marra për shpërnguljen e banorëve të Gërdecit nga kovaleshenca e Ministrisë së Brendshme të qytetit të Durrësit. Sipas një njoftimi të marrë në orët e mesditës së djeshme, Drejtori i Shtëpisë së Pushimit të oficerëve në zonën e Plepave ka zhvilluar një mbledhje me banoret e revoltuar ku u ka shpjeguar se do të kenë edhe një javë kohë në dispozicion për të tërhequr paratë e premtuara për qira strehimi. Më pas ai u ka pohuar atyre se njëkohësisht të bëhet edhe shpërngulja graduale e të gjithë të strehuarve në këtë kamp. Kjo ka shërbyer si faktor qetësimi për të ulur zërin e revoltës së të dëmtuarve të Gërdecit, pasi ata kishin paralajmëruar se do të dilnin në rrugë për të protestuar përsëri.

***

Në orët e para të mëngjesit, shumë banorë kontaktuan me gazetaret tek porta e kampit, pasi edhe dje portat e hekurta qenë të bllokuara për përfaqësuesit e mediave. Së bashku me gazetarët nuk janëlejuar të hyjnë edhe përfaqësues të shoqërisë civile si dhe disa shtetase amerikane të organizatave humanitare e të korpusit të paqes. Ato kanë qëndruar të ngujuar për shumë orë para portës së mbyllur duke mbledhur informacione mbi gjendjen vetëm nëpërmjet banoreve që dilnin tek dera e jashtme. Ndërkohë nga kampi dilnin edhe familje të ndryshme me furgonë me targa të Tiranës, të cilat kishin rënë dakord për tu larguar. Numri i këtyre familjeve deri në drekë arriti në mbi 20. Teksa porta ishte e mbyllur për gazetarët, në hyrje të kampit nuk kishte asnjë vështirësi për të hyrë pushuesit që vinin për të kaluar fundjavën në plazh.

***

Banori i Gërdecit, Bashkim Masha, thotë se po organizohen disa familje për grevë dhe se është arritur të merren firmat e 15 kryefamiljarëve që do të hyjnë në greve. Por organizatorët nuk tregojnë se si do të zhvillohet kjo grevë apo kush do të marrë pjesë pasi i druhen veprimeve të krerëve të kovaleshencës apo atyre të Ministrisë së Brendshme. Me tone të ashpra flet edhe banori tjetër i Gërdecit, duke i cilësuar si mashtrim të madh premtimet e dhëna në fillim. Sipas tij, shpërngulja në një gjendje aspak të favorshme, ende të pa dëmshpërblyer dhe pa asnjë kusht normal strehimi kur dhe ujërat e zonës janë të kontaminuara me lëndë të dëmshme për jetën normale të njeriut, është një tragjedi e re. Me sa duket, gjendja e acaruar e banorëve dhe paralajmërimet për demonstrata në rrugë në shenjë proteste, bënë qëadministratoret të ndërronin taktikë. Ata kishin paralajmëruar se strategjia që do të ndiqnin për të larguar banorët e Gërdecit nga Kovaleshenca do të niste me prerjen e ushqimit dhe të ujit të pijshëm. Por kjo gjë nuk ka ndodhur dje. Në orët e drekës, Muzli Shala, drejtori i Kovaleshencës ka urdhëruar që të jepet ushqim si normalisht dhe më pas në një mbledhje me ta ka komunikuar se afati shtyhet edhe për një janë dhe se në komunën e Vorës është hapur një sportel për tërheqjen e parave të strehimit.

Fëmijët festojnë në heshtje 1 qershorin

DURRËS- Izolimi që i ka bërë qeveria shqiptare banorëve të Gërdecit është ndjerë më shumë nga fëmijët e vegjël. Për ta dje ishte një ditë feste, ishte një qershori i tyre. Ata e prisnin këtë ditë me padurim pasi shpresonin se ndokush do të kishte organizuar një festë për ta. Por kjo gjë nuk ndodhi. Shoqata të ndryshme humanitare kishin planifikuar që këtë ditë të bënin një viztë tek fëmijët e tragjedisë dhe tu jepnin atyre dhurata e veshje të ndryshme. Vetë banorët e Gërdecit që ndodhen të mbyllur në kovaleshencë kanë pohuar dje se as përfaqësuesit e shoqatave të ndihmave nuk janë lejuar që të hyjnë në brendësi të kampit e të takohen me ta.

“Banorët nuk mund të qëndrojnë më në Kovaleshencë pasi dëmshpërblimi për të rindërtuar banesën u është dhënë”

Ministria: Një javë kohë banorëve për të gjetur shtëpi

TIRANË- Ministria e Brendshme ka shpjeguar dje se koha që u është dhënë banorëve të Gërdecit për të liruar mjediset e Kovaleshencës është më se e mjaftueshme për të gjetur një shtëpi të re me qira. Duke nisur nga dje ata kanë vetëm shtatë ditë në dispozicion për të gjetur një banesë të re ose në të kundërt do të gjejnë veten për herë të dytë në qiell të hapur. Sikur të mos mjaftonte shpërthimi fatal i 15 marsit, qeveria u jep atyre një tjetër lajm të keq. Sipas një deklarate për shtyp lëshuar ditën e djeshme, Ministria e Brendshme bëri të ditur se në ditët e para të javës do të nisë shpërndarja e një shume prej 25 mijë lekë të reja për çdo familje e cila do të paguajë qiranë mujore. Qeveria vendosi të paguajë me nga 25 mijë lekë të reja çdo familje që deri më tani strehohej në Kovaleshencë, për një periudhë gjashtë mujore.

Banorët e Gërdecit

Pasi kanë qëndruar për rreth 10 javë në Kovaleshencën e Ministrisë së Brendshme në Durrës, tashmë banorët e Gërdecit janë vënë në lëvizje për të kërkuar shtëpi me qira. Banesat e tyre u shkatërruan si pasojë e shpërthimit të fabrikës së çmontimit të municioneve më 15 mars të këtij viti, dhe qeveria vendosi që banorët të strehoheshin në Kovaleshencën e Durrësit. Mirëpo kjo ka zgjatur vetëm për dy muaj e gjysmë pasi, sipas deklaratës së Ministrisë së Brendshme, qeveria ka kryer dëmshpërblimin për dëmtimin e banesës për të gjitha familjet. “Banorët nuk mund të qëndrojnë më në Kovaleshencë pasi dëmshpërblimi për të rindërtuar edhe njëherë banesën u është dhënë kështu që ata duhet të fillojnë të ndërtojnë shtëpitë. Qeveria vendosi që edhe për gjashtë muaj të paguajë strehimin e banorëve deri sa ata të përfundojnë shtëpitë”,- thanë për “Shekullin” burime nga policia. Sipas të njëjta burimeve, gjashtë muaj është kohë e mjaftueshme për banorët e Gërdecit të rregullojnë banesat e tyre pasi ata nuk kanë se çfarë të presin sepse paratë u janë dhënë.

Ndarja e parave për qiratë

Sot fillon shpërndarja e parave të qirasë për të gjitha familjet të cilat strehohen në qendrën e pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës. Familjet do të marrin njëherësh shumën e parave për të shlyer qiranë për një periudhë kohe gjashtë muaj. “Qeveria mori vendimin që t’u paguajë familjeve një qira mujore prej 25 mijë lekësh, për një afat kohor gjashtë muaj, e në raste të veçanta edhe një vit. Kjo periudhë kohore vlerësohet e mjaftueshme për rindërtimin e shtëpive nga banorët”,- thuhej në deklaratë lëshuar dje nga Ministria e Brendshme. Banorët e Gërdecit do të marrin 250 mijë lekë të vjetra për të paguar qiranë mujore ndërsa banesat do t’iu duhet t’i gjejnë vetë dhe për këtë kanë një javë kohë deri të dielën e ardhshme kur do të largohen nga Kovaleshenca. Mësohet se jo të gjitha familjeve do t’iu paguhet qiraja, ndërsa shumë pak prej tyre do të përfitojnë një vit “abonim” nga qeveria dhe kjo për ato familje të cilat kanë pasur më shumë dëme.Përfaqësuesit e lëvizjes Mjaft kanë dënuar dje ashpër veprimet e qeverisë për të larguar banorët nga Kovaleshenca

“Qeveria, agresion kriminal ndaj banorëve të Gërdecit”

TIRANË- Banorët e Gërdecit janë vizatur dje nga përfaqësues të lëvizjes Mjaft, të cilët edhe një herë nuk janë lënë që të hyjnë në mjediset e Kovaleshencës së Ministrisë së Brendshme në Durrës. “Aktivistë të Lëvizjes Mjaft! takuan të strehuarit aty, jashtë derës së hekurt të Shtëpisë së Pushimit. Të mbijetuarit njoftuan se iu është komunikuar nga administrata e Kovaleshencës se koha e largimit u është shtyrë edhe me një javë tjetër, kundrejt pagesës prej 25 mijë lekë në muaj, e cila do të fillojë t'u shpërndahet brenda javës, sipas autoriteteve të kampit të pushimit”,- thanë dje përfaqësuesit e lëvizjes Mjaft. Sipas tyre, teksa gazetarët nuk lejoheshin të hynin në mjediset e Kovaleshencës, pushues me leje kalimi të Ministrisë së Brendshme, disa syresh vetëm me mbathje banje, hynin e dilnin me automjetet e tyre për të vajtur në plazh. “Të strehuarit në Kovaleshencë dhanë dëshmi për një presion psikologjik të vazhdueshëm nga autoritetet aty, duke nisur nga njoftimet kolektive përmes një qendre zëri, ku u komunikohej të largoheshin e të pastronin dhomat, përndryshe do t'iu ndërpriteshin shërbimet elementare: ushqim, ujë, energji elektrike, e deri te komunikimet e vazhdueshme në mënyrë private mbi mungesën e alternativave të tjera, përveç largimit”,- thanë përfaqësuesit e Mjaft. Një prej tyre, Elisa Spiropali, pohoi se “Dëbimi i këtyre njerëzve fatkeqë e të traumatizuar, që kanë humbur gjithçka, prej këtyre ambienteve, duke u lënë në dispozicion vetëm 25 mijë lekë në muaj për ushqim e strehim, është agresioni kriminal i radhës që qeveria po u bën. Ajo theksoi se dëbimi i të mbijetuarve të tragjedisë së Gërdecit kryhej për ta vënë Shtëpinë e Pushimit në dispozicion të zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, në mënyrë që këta të fundit të mund të pushonin falas në dëm të të strehuarve aty, me rastin e afrimit të pushimeve të verës.

“Lëvizja Mjaft! është e qëndrimit se ky akt është anormal, amoral dhe bie ndesh me premtimet e Kryeministrit për një rehabilitim të plotë të viktimave të tragjedisë, për të cilën, përgjegjësia kryesore bie mbi vetë qeverinë. Gjithashtu, ky veprim është dëshmi e mungesës së një strategjie e vizioni të qartë të institucioneve shtetërore mbi një kompensim normal material e fizik të të mbijetuarve”,- thuhet në njoftimin për shtyp të lëvizjes Mjaft.

Përse banorët duhet të lënë Kovaleshencën

Një nga masat e para të qeverisë shqiptare për të “ndihmuar” banorët e Gërdecit pas shpërthimit fatal të 15 marsit ishte gjetja e një strehe. E teksa ideja e ngritjes së çadrave të ushtrisë u rrëzua brenda pak orësh, Ministria e Brendshme ideoi një zgjidhje të re, atë të strehimit të tyre në mjediset e Kovaleshencës së policisë. Kjo gjë ndodhi më 16 mars dhe krerët e ministrisë menduan se deri në qershor do ishte gjetur një zgjidhje më e mirë për ta. Kur kjo gjë nuk ndodhi, ministria u përball me presionin e efektivëve të saj të cilët kishin prenotuar me kohë pushimet e arta në oazin e Durrësit. Me një tarifë pak më të lartë se 16 mijë lekë të reja për persom, punonjësit e Ministrisë së Brendshme do ta kalojnë 10 ditë pushime në mjediset e Kovaleshencës. Brenda kësaj tarife përfshihet edhe ushqimi për të dhjetë ditët. Askush prej tyre nuk mund të linte që kjo mundësi e artë t’i humbte për shkak të disa fatkeqëve që kishin humbur shtëpitë dhe njerëzit e tyre të afërm në shpërthimin e 15 marsit. Ata nuk mund të linin që këta njerëz të shijonin ditët e para të diellit të kësaj vere në plazhin “e tyre”. Xhelozia e tyre është parë edhe gjatë këtyre ditëve kur punonjës të Ministrisë së Brendshme, të pajisur me letërnjoftimet përkatëse, kanë vërshuar duke zënë vendin e tyre në rërën e Kovaleshencës. Edhe dje, teksa banorët protestonin për vendimin e qeverisë që i detyron të linin “shtëpinë”, punonjësit e ministrisë janë parë të kalojnë aty pari me rroba banje e peshqir me vete gati për të hyrë në det. Tashmë banorët duhet të marrin 25 mijë lekët e përmuajshëm e të gjejnë një shtëpi të re në vendin e mallkuar që quhet Gërdec.

Projektet që do të rindërtojnë Gërdecin

Projektet për rindërtimin e fshatit të rrënuar nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve mbesin në letër. Megjithëse qeveria shqiptare ka përcaktuar koston totale të projekteve, realizimi i të cilave do të sjellë rindërtimin e zonës deri më tani ende nuk ka asnjë burim financimi. Para pak ditësh dështoi edhe tentative e radhës e qeverisë për të siguruar donacione për këto projekte. Ndërkohë që projekte të tilla janë konsideruar si të pasigurta nga Këshilli i Europës. Mbledhja që duhet të ishte një prezantim i projekteve të detajuara çka do të siguronte edhe financimin e tyre nuk ka qenë gjë tjetër veçse një dështim i radhës i qeverisë shqiptare. Kështu në bazë të projekteve të prezantuara duhet një fond prej 16 mijë eurosh për rindërtimin e zonës. Në këto projekte parashikohen ndërtimi i rrugëve, landfildi dhe qendra interneti. Projektet për infrastrukturën rrugore të Gërdecit kapin vlerën e 1.862.000 eurosh. Ndërsa projekti për menaxhimin e mbetjeve urbane kushton 3 705.000 euro. Ai i kanalizimeve dhe i ujësjellësit ka një preventiv prej 2.326.000 eurosh. Projektet në fushën e telekomunikacioneve me një vlerë prej 250.000 E. Kështu sipas projekteve të qeverisë, nevojat afatmesme për rindërtimin e fshatit të Gërdecit janë të ndarë në sektorë si arsim, shëndetësi, infrastrukturë, mjedis, bujqësi dhe të gjitha këto projekte kapin vlerën e mbi 16 mijë eurove.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›