Bumçi kundër Topit: Topalli ka të drejtë
Reagon një tjetër deputet i PD-së në mbrojtje të Topallit
TIRANË- Një tjetër konflikt i dukshëm politik po del në pah. Kësaj here, mes qëndrimit të disa deputetëve të PD-së dhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi ka qenë një zë më shumë në mbrojtje të Kryetares së Kuvendit, Topalli, duke argumentuar se lëvizja e kësaj të fundit, bazohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Madje, iniciativën e Partisë Socialiste për mocionin e shkarkimit e ka konsideruar si një presion të radhës. "Asnjë formë presioni nuk do ta lëkundë maxhorancën që të zbatojë frymën kushtetuese dhe vendimet interpretuese të Gjykatës Kushtetuese, në emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë",- u shpreh deputeti Bumçi gjatë një konference për shtyp. Thirrjeve të opozitës për të futur sa më parë të jetë e mundur në procedura parlamentare votimin e dekreteve të Presidentit për emërimin e 5 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, deputeti i PD-së, Bumçi u është përgjigjur me një qëndrim krejt të kundërt, duke mos i hequr asnjë presje qëndrimit të Kryetares së Kuvendit, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, sistemi i emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, i pranuar nga Kushtetuta e Shqipërisë, ka në esencë kooperimin institucional të Presidentit të Republikës dhe të Kuvendit. Duke vijuar citimin e këtij vendimi, Bumçi tha se, "interpretimi, sipas të cilit, emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese i përket në mënyrë ekskluzive një organi politik me natyrë individuale siç është Kreu i Shtetit, nuk do të ishte në pajtim me standardet e përcaktuara të fushës. Nga e drejta kushtetuese e krahasuar del gjithashtu se emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë ose të asaj Kushtetuese duhet të dalë nga kooperimi institucional, ose si një procedurë ekskluzivisht ose pothuajse parlamentare". Mirëpo krejt ndryshe në fakt e ka argumentuar pak ditë më parë, në një intervistë televizive, kreu i shtetit, Bamir Topi. Ai ka theksuar se Kryetarja e Kuvendit duhet të zbatojë Rregulloren dhe se i takon Kuvendit të japë qëndrimin e tij me një “po” ose “jo”.