Energjia bërthamore, ëndërr e largët
Sipas profesorit të “La Sapienza”, Marcello Cini, centralet nukleare të Berluskonit mund të vijnë më 2020
Nëse do të realizohet ndonjëherë, mund të mos sjellin asnjë përfitim konkret
A është e nevojshme apo jo energjia bërthamore, është njëra anë e medaljes së zhurmës së madhe mbi “qëllimet” e qeverisë së djathtë italiane të sotme. A është e mundur, është ana tjetër. Sipas një profesori të respektuar të Universitetit “La Sapienza” të Romës, deklaratat e bujshme, tani për tani, nuk duhet të merren seriozisht. Për më tepër, kur energjia nukleare do të mbërrijë, nëse do të mbërrijë, sërish nuk do të sjellë ndonjë zgjidhje të jashtëzakonshme për problemin e energjisë në tërësi.
Që prej një muaji, politika italiane ka deklaruar disa herë se dëshiron të ndërtojë centrale bërthamore. Ministri i Ekonomisë, Giulio Tremonti dhe zv/ministri i Punëve Prodhuese, Claudio Scajola, thonë se dëshirojnë t’i ndërtojnë në Shqipëri këto centrale. Kryeministri shqiptar Sali Berisha deklaroi disa ditë më parë se, “ishte dakord që centralet bërthamore të ndërtoheshin këtu te ne”, por pranoi gjithashtu se, deri më sot, nuk është negociuar zyrtarisht me Romën, pra, që bëhet fjalë vetëm për deklarata mediatike.
Dashuri me energji në kohë krize
Entuziazmi për energjinë bërthamore është shtuar në dy anët e Adriatikut, veçanërisht për shkak të krizës energjetike botërore, që për Italinë nënkupton çmime jashtëzakonisht të larta për naftën e gazin, ndërkohë që për Shqipërinë nënkupton kufizime masive në furnizim dhe bllokim të zhvillimit ekonomik të vendit.
“Centralet bërthamore kërkojnë shumë kohë për t’u ndërtuar”,- thotë profesori Cini, i cili është shumë i respektuar për njohuritë e tij në këtë fushë. “Nëse puna do të niste tani, do të duheshin së paku tetë vite që centralet të përfundonin”. Premtimi i qeverisë italiane është që rreth vitit 2013, të jenë akorduar licencat e të jenë përcaktuar vendet e ndërtimit. Edhe ky parashikim, duket tepër optimist.
Energji, pa leverdi ekonomike
Sot për sot, thuhet se energjia bërthamore është shumë e lirë. Kushton 12 deri në 18 cent të euros për kilovat. Por sipas profesor Cinit, kjo është një e dhënë e gënjeshtërt. “Vendet që kanë bombë bërthamore, kanë investuar më herët miliarda për të prodhuar bombën. Energjia bërthamore qe një derivat i investimeve për bombën, e për pasojë rezulton më e lirë. (Sepse askush nuk fut në llogari koston ushtarake). Për vende që nuk kanë investuar te energjia bërthamore për qëllime ushtarake, kostoja është shumë më e lartë”,- thotë ai.
Pa drita, me ëndrra bërthamore
Qeveria shqiptare ka folur për energji bërthamore, gjatë kohëve të fundit, shumë më tepër sesa ka folur për zgjidhje konvencionale të krizës energjetike. Shqipëria ka nevojë aktualisht për 600 deri në 800 megawat fuqi të instaluar termocentrale, ose do të importojë përgjithmonë 50-60% të energjisë që konsumon. Në skenarin e saj më të mirë, qeveria ka premtuar se një TEC 93 megawat do të hyjë në punë, në mes të vitit 2009, së bashku me disa dhjetëra hidrocentrale të vegjël, të cilët duket se do të shtojnë vrimat në xhepat e shqiptarëve, por nuk do ta zgjidhin problemin.