Greva para kryeministrisë, policia ndalon ngritjen e çadrave
Tiranë- Grevistët e Gërdecit po qëndrojnë në shi para kryeministrisë. Policia nuk ka lejuar që ata të ngrenë çadrat për të vijuar grevën e tyre të urisë, duke nxjerrë arsye të ndryshme për këtë pengesë.
Sipas tyre, policia nuk i ka lejuar pasi, në lejen e marrë për zjvillimin e grevës në lulishten krah kryeministrisë, nuk është specifikuar fjala çadër. Duket se kjo nuk do të pengojë aspak grevistët, tashmë të vendosur t’i shkojnë deri në fund vendimit të marrë, pavarësisht se i kushton shtenjtë për shëndetin.
Në kushte të tilla, ata vijojnë të qëndrojnë të mbuluar me mushama provizore, por shprehen se nuk do të lëvizin që aty. “Kryeministri na ka kaq pranë dhe nuk ka dashur t’ia dijë, as për ne e as për kerkesat tona”- thonë grevistët.
Në orët e pasdites, grevistët që ishin dërguar në spital me urgjencë për të marrë ndihmën e parë, i janë bashkuar pjesës tjetër.
Vetëm pak kohë pasi u zhvendosën para kryeministrisë për të vijuar grevën e tyre të nisur 13 ditë më parë, 5 prej ish punëtorëve të fabrikës së Gërdecit u dërguan me urgjencë në spital.
Shëndeti i punëtorëve u rëndua së tepërmi dhe për këtë ata u nisën në spital, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë, dy punëtorë të tjerë, po pjesëmarrës në grevë u mjekuan në vend, pasi nuk pranuan të lëviznin dhe u shprehën të vendosur të qëndrojnë para kryeministrisë.
Përfaqësues të shoqërisë civile, që mbështesin këtë grevë kanë bërë apel për dërgimin e një mjeku, që të jetë i gatshëm të qëndrojë gjatë gjithë kohës pranë grevistëve. Së bashku me mjekun, ata shohin si domosdoshmëri edhe praninë e një ambulance, pasi në këtë mënyrë grevistët mund të kenë një ndihmë mjekësore për çdo të papritur që mund të vijë.
Grevistët, pas paralajmërimit të djeshëm, u zhvendosën sot paradite para kryeministrisë. “Kështu jemi pranë kryeministrit dhe ai ka mundësi të na shohë dhe nuk mund të bëjë qorrin”- kanë ironizuar grevistët, të cilët presin një përgjigje për kërkesat e tyre, të bëra tashmë publike. Kërkesa, që sipas grevistëve, janë vetëm e vetëm ekonomike dhe mëse të arsyeshme.