Konstitucionalistët: Topi veproi sipas kushtetutës
Vendimi i parlamentit për të rrëzuar dekretet e presidentit të Republikës, ka vijuar të sjellë diskutime të shumta jo vetëm në radhët e politikës shqiptare por edhe në ato të grupeve të interesit. Luan Omari është shprehur se mazhoranca po vepron gabim lidhur me dekretet për Gjykatën e Lartë. “Presidenti nuk ka as detyrim ligjor as kushtetues për të bërë konsultime lidhur me emrat që do dekretojë për Gjykatën e lartë. Presidenti duhet të vendosi emra dhe parlamenti duhet ti shqyrtojë” – tha Omari.
Shqetësim për qëndrimin e parlamentit ka shprehur edhe sekretari për çështjet ligjore në partinë socialiste Fatmir Xhafa. Duke ngritur shqetësimin se qeveria po tenton të vërë nën kontroll drejtësinë, Xhafa theksoi se synimi i socialistëve për reformën në drejtësi do të jetë pikërisht largimi i sistemit të drejtësisë nga duart e politikës.
Duke shfrytëzuar tryezën e organizuar nga Fondacioni i Partisë Socialiste Qemal Stafa, ish prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku, ka shprehur kritika të ashpra jo vetëm ndaj përfaqësuesve të mazhorancës por edhe ndaj vetë presidentit të Republikës. Sipas Sollakut, kreu i shtetit nuk bëri asnjë transparencë në momentin e përzgjedhjes së anëtarëve për Gjykatën e Lartë dhe kjo gjë sipas tij pati edhe efektet e veta. Në vijim të mendimit të tij, Sollaku u shpreh se edhe pse nuk ka një detyrim kushtetues, për kushtet e Shqipërisë, kreu i shtetit do të bënte mirë që para marrjes së vendimeve të tilla të zhvillonte konsultime jo vetëm me grupet e interesit por edhe me Parlamentin, pasi sipas tij vonesat e krijuara dëmtojnë qytetarët.
Tryeza e zhvilluar nga fondacioni Qemal Stafa, ngriti problemet që shqetësojnë sistemin gjyqësor shqiptar, si dhe diskutoi për reformimin e tij.