Braçe: Vendi në krizë të thellë ekonomike
Partia Socialiste akuzoi qeverinë se e ka futur vendin në një krizë të thellë ekonomike. Deputeti Erion Braçe tha dje se "për shkak të krizës së rëndë të qeverisjes, në të cilën Sali Berisha ka zhytur, çdo familje shqiptari vazhdon të jetë në një krizë të thellë, impakti i së cilës duket qartësisht në portofolet familjare të çdo familje shqiptari. Dhe që materializohet fare lehtë kur bënë diferencën midis vendimeve të qeverisë për rritjen e çmimeve dhe vendimeve të qeverisë për kompensimin e çmimit". Ai akuzoi kryeministrin Berisha për papërgjegjshmëri. Duke iu referuar vendimit të fundit të qeverisë për kompensimin e rritjes së energjisë elektrike për pensionistët, Braçe tha se nëse familjet paguajnë që nga janari me çmimin e ri të energjisë mbi 20 mijë deri në 50 mijë lekë, qeveria kompenson pensionistët vetëm me 1400 lekë. Sipas tij, borxhi i jashtëm i Shqipërisë në vetëm 2 vitet e fundit, të qeverisë së Sali Berishës, pra nga 2007 në 2009 është rritur me 66% ose në vlerë mbi 650 milionë euro.