PD-PS, pakt për hetimin e dekreteve të Presidentit
ADI SHKEMBI
PD dhe PS arrijnë paktin e parë në Kuvend, pas përfundimit të grevës 19-ditore të urisë. Përfaqësuesit e dy forcave të mëdha ranë dje dakord në Komisionin e Ligjeve që të shqyrtojnë deri në detaje emrat që vijnë nga Presidenti për anëtarë të Gjykatave dhe konkretisht për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Gjatë seancës në komision deputetët e maxhorancës propozuan që për secilin kandidat të ketë dosje voluminoze me të gjitha hollësitë e veprimtarisë së tyre. "Duhet të na vihet në dispozicion nga strukturat e Kuvendit për më shumë informacion, jo vetëm për CV por edhe, fjala bie, për listën e notave për çdo kandidat, nëse ka pasur veprimtari politike. Mundësisht të përgatisim një dosje për secilin kandidat", tha dje në Komision deputeti demokrat, Dashnor Sula. Lidhur me propozimin e maxhorancës, deputetët e opozitës kanë rënë dakord parimisht, duke u kërkuar specialistëve të Komisionit informacione të detajuara për kandidatët.
Ndryshimi i Rregullores
Por shumica parlamentare nuk do të mjaftohet vetëm me informacionet që do të vijnë nga arkivat e Ministrisë së Drejtësisë për kandidatët për anëtarë të gjykatave. Burime pranë Partisë Demokratike bëjnë të ditur për gazetën "Panorama", se një grup prej tre deputetësh të Komisionit të Ligjeve do të përgatisin një amendament për rregulloren e Kuvendit, që ka të bëjë pikërisht me votimin e dekreteve të kreut të shtetit. Ky amendament do të jetë i përqendruar në tri pika kryesore. Së pari, komisioni i ligjeve, përveçse do të hartojë raport për kandidatët e dekretuar nga Topi, do të shprehet me votë përpara se të kalojë në seancën parlamentare. Amendamenti i dytë ka të bëjë me kohën brenda së cilës duhen votuar dekretet. Sipas rregullores, Parlamenti ka tri javë kohë që të votojë emrat e sjellë nga Presidenti, ndërkohë që tani pritet që koha të jetë më e gjatë, kjo për shkak se verifikimi i karrierës së gjyqtarëve do të marrë më shumë kohë. Amendamenti i tretë ka të bëjë me mënyrën e votimit. Sot një gjyqtar votohet fshehtas, ndërkohë që PD, duke marrë si shembull dekretet e ministrave, do të propozojë votim të hapur për anëtarët e gjykatave.
rregullorja e kuvendit
Si ishte
1. Në rregulloren e Parlamentit parashikohet që dekretet e ardhura nga Presidenti i Republikës duhet të kalojnë për votim brenda 3 javëve nga momenti që ato mbërrijnë në Kuvend.
2. Në rregulloren e Parlamentit parashikohet që për personat Parlamenti voton në mënyrë të fshehtë.
Si bëhet
1. Në variantin e ri që do të propozojë PD, koha e votimit për dekretet do të lihet më e gjatë për t'i dhënë më shumë mundësi Komisionit të Ligjeve të verifikoje dosjen e kandidatëve.
2. Duke marrë si shembull dekretimin e ministrave, kur Kuvendi voton hapur, maxhoranca do të propozojë votimin e hapur edhe për gjyqtarët.