E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe akuza për transferimin e fondeve të Bankës Botërore

Autori i Lajmit: Redaksia

Akuza të forta janë hedhur dje nga deputeti socialist i Beratit, Erjon Braçe, mbi vendimin e fundit për transferimin e fondeve të Bankës Botërore të parashikuara për investimin në tregun e Beratit. Këto fonde iu transferuan Bashkisë së Shkodrës për të rikuperuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet dhe Braçe e ka quajtur vendimin tendencioz dhe shprehje të urrejtjes së kryeministrit ndaj qytetit të Beratit. Sipas Braçes, kjo është një arsye më shumë për tiu bashkuar protestës së datës 10 prill në Berat. “Kjo përbën dhe aktin e fundit të agresionit të Sali Berishës dhe të qeverisë së tij kundër banorëve të Beratit. Bëhet fjalë për një projekt zhvillimi që, natyrisht, i mungon qytetit të Beratit dhe natyrisht që hap një perspektivë të re për të gjitha marrëdhëniet tregtare në qytetin e Beratit”.
Për të njëjtën çështje ka pasur reagime edhe nga kryebashkiaku i Korçës, Niko Peleshi. Peleshi ka sqaruar se fondet për qendrën e qytetit të Korçës nuk mund ti kalojnë Shkodrës, ndërsa ka theksuar se qeveria me këtë vendim po krijon një problem tjetër. “Ky është një nga investimet më të rëndësishme të Bashkisë së qytetit. Unë dëshiroj ti kërkoj qeverisë nëpërmjet këtij prononcimi që problemin e shkaktuar në Shkodër të mos kërkojë ta zgjidhë duke shkaktuar një problem tjetër në qendër të qytetit të Korçës, por të gjejë burime të tjera”, – u shpreh Peleshi.

Ky lajm është publikuar: 07/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›