E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset, si plotësohet formulari online për shitjet

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Rreth 90 % e tatimpaguesve të regjistruar për TVSH dhe tatim- fitim, kanë përmbushur detyrimin ligjor të dorëzimit në mënyrë elektronike të librave të shitjes dhe blerjes. Lajmi është konfirmuar dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sipas të cilës, nga rreth 15.000 tatimpagues, të cilët sipas legjislacionit tatimor kanë detyrimin për të dorëzuar elektronikisht librat e shitjes dhe blerjes, e kanë kryer një veprim të tillë 13.000 prej tyre. Nga ana e tij, ky institucion ka shprehur falenderim për të gjithë tatimpaguesit, të cilët megjithë vështirësitë teknike që kanë hasur, realizuan përmbushjen e këtij detyrimi, duke realizuar dërgimin në mënyrë elektronike të librave të shitjes dhe blerjes. Ndërkohë që për 2 mijë tatimpaguesit e tjerë që nuk kanë bërë deklarimet elektronike mësohet se afati është shtyrë deri më datë 14 prill të këtij viti. “Administrata Tatimore inkurajon të gjithë tatimpaguesit, për përmbushjen e detyrimeve të tyre ligjore, dhe i fton të gjithë ata tatimpagues që për arsye të ndryshme teknike nuk munden të përfundonin dorëzimin elektronik të librave, të vazhdojnë të kryejnë këtë proces edhe gjatë ditëve në vazhdim. Për çdo sqarim apo paqartësi, të gjithë tatimpaguesit janë të ftuar dhe mund të drejtohen pranë zyrave të Shërbimit ndaj Tatimpaguesve, ku mund të marrin informacion dhe asistencën e duhur”, bëjnë të ditur burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Dorëzimi elektronik i Librave të shitjes dhe blerjes, sipas kalendarit të përcaktuar në Udhëzimin nr.2, datë 28.01.2010 të Ministrit të Financave, filloi në muajin shkurt (për periudhën tatimore janar 2010) për tatimpaguesit e Njësisë së Tatimpaguesve të Medhenj).Me ndryshimet e Legjislacionit tatimor, me hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve, gjatë muajve shkurt dhe mars, janë zhvilluar trajnime në të gjitha Drejtoritë Rajonale Tatimore, nga një staf i pregatitur trajnerësh të Shërbimit ndaj Tatimpaguesve, duke trajnuar më shumë se 10000 tatimpagues.

Si bëhet plotësimi i deklaratave tatimore

Pa qenë e nevojshme të shkojnë në zyrën tatimore përkatëse, ju mund të shkarkoni dhe printoni deklaratat tatimore nga interneti përmes një procedure shumë të thjeshtë nga faqja e internetit www.tatime.gov.al:
1. Klikoni tek “Shkarko deklaratat”.
2. Futni NIPT-in tuaj siç kërkohet në kutizën e paraqitur dhe klikoni “OK”.
3. Klikoni tek deklarata që dëshironi të shkarkoni në listën e shfaqur në ekran dhe zgjidhni opsionin “Open” (Hap) për ta shfaqur deklaratën, ose opsionin “Save” (Ruaj) për ta ruajtur deklaratën.
4. Printojeni.
Deklarimi elektronik i tatimeve
Ju mund të bëni deklarimin e tatimeve tuaja thjesht e shpejt në mënyrë elektronike, nga kompjuteri juaj, duke ndjekur hapat e mëposhtme:
1. Klikoni mbi “Tatimet e mia” tek “Shërbimet elektronike” në të majtë të ekranit.
2. Plotësoni NIPT-in dhe “Passëord”-in (Fjalëkalimin) dhe klikoni mbi butonin “Log-In” (Hyr) për tu futur në sistem.
3. Në këtë faqe të parë që do të hapet, ju do të shihni në të majtë deklaratat tatimore dhe në fund opsionin “Ndrysho Fjalëkalimin”. Duke klikuar mbi të, ju keni mundësi të ndryshoni fjalëkalimin sipas dëshirës suaj.
4. Në listën e deklaratave tatimore në të majtë të ekranit, klikoni mbi atë deklaratë që dëshironi të plotësoni.
5. Klikoni opsionin “Deklarim i Ri”, i cili ndodhet djathtas listës së deklaratave tatimore dhe në ekran do tju shfaqet formulari përkatës me rubrikat që duhet të plotësoni.
6. Klikoni dhe mbi opsionin “Deklarim Përmbledhës” për të vazhduar plotësimin e të gjitha rubrikave.
7. Në përfundim, klikoni në fund të ekranit djathtas butonin “Tjetër” për të ruajtur deklaratën. Do tju rishfaqet faqja e parë me listën e deklaratave tatimore, në qendër të së cilës tashmë paraqitet në një rresht të klikueshëm ngjyrë gri, titulli dhe detaje identifikuese të deklaratës që ju sapo mbushët.
8. Deri në skadimin e afateve kohore ligjore për secilën deklaratë, pra deri në datën 14 për TVSH-në dhe në datën 20 për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore si dhe për tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, ju mund të klikoni mbi rreshtin e sipërpërmendur gri për të ndryshuar sipas nevojës të dhënat e plotësuara. Për të ruajtur ndryshimet, klikoni në fund të ekranit djathtas butonin “Ruaj dhe mbyll”.
9. Për të pasur një kopje të deklaratës përfundimtare që plotësuat klikoni opsionin “Gjenero Deklarate”, në faqen e parë me listën e deklaratave tatimore. Në ekran do tju shfaqet deklarata tatimore e plotësuar. Ju mund ta ruani atë në kompjuterin tuaj dhe ta printoni. Për të kryer pagesën në bankë klikoni opsionin "Gjenero UrdherPagese", në të njëjten faqe. UrdhërPagesa është per perdorim personal, dhe per tu paraqitur në bankë në rastet e deklaratave me pagesë

Ky lajm është publikuar: 07/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›