E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe akuzon qeverinë: Po abuzon me pronat

"Qeveria po abuzon me pronat e shqiptarëve dhe mundohet të mbulojë këto abuzime me shkarkimet e drejtorëve të AKKP-së". Kjo deklaratë është bërë dje nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, numri dy i grupit të PS-së ka sjellë një shembull konkret të abuzimeve me pronat. Sipas tij, në Kavajë, në zonën bregdetare, në plazhin e Gjeneralit, janë bërë abuzime me tjetërsimin e pronës dhe për këtë abuzim prej gati tre muajsh, tha Braçe, ka qenë nën hetim ish-drejtori i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, i cili është shkarkuar dy ditë më parë nga Kryeministri Berisha. Deputeti Braçe i ka kërkuar Kryeministrit Berisha që t‘u tregojë shqiptarëve arsyen e vërtetë të shkarkimit të drejtorit të AKKP-së. Po kështu, Braçe ka kërkuar të njëjtën gjë edhe nga organi i prokurorisë, që pa prekur sekretin e hetimit, të tregojë publikisht të vërtetën për shkarkimin e kryetarit të AKKP-së nga Kryeministri Berisha. Sipas Braçes, këtë herë qeveria ka qenë një hap para organit të akuzës, sepse e ka shkarkuar drejtorin e AKKP-së përpara se t‘i trokasë në qeveri organi i akuzës për ta arrestuar drejtorin e saj. Vatnikaj, tha nënkryetari i grupit të PS-së, është i treti drejtor që ndërrohet tek Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave brenda tri viteve. Ai që është emëruar para dy ditësh, theksoi Braçe, është drejtori i katërt i kësaj agjencie. Për ndërrimin e shpeshtë të drejtorëve të AKKP-së, Braçe nuk bën me faj vetëm drejtorët, por "klientët e fuqishëm" që u vijnë rreth e rrotull, pasi kjo histori, tha Braçe, ka brenda emra të rëndësishëm që fillojnë në qeveri dhe mbarojnë po në qeveri. Nënkryetari i grupit të PS-së i ka kujtuar edhe njëherë mazhorancës dhe qeverisë që t‘u tregojnë shqiptarëve arsyet e vërteta pse shkarkohen kaq shpejt drejtorët e kësaj agjencie. Pretendimet e nënkryetarit të grupit të PS-së, Erjon Braçe, janë kundërshtuar nga deputeti i PD-së, Ferdinant Xhaferri. Ai në fjalën e tij, menjëherë pas diskutimit të deputetit socialist, ashtu siç koincidon shpesh në Parlament, ka theksuar se i vjen mirë që opozita më në fund ka mirëpritur vendimin e qeverisë për shkarkimin e drejtorit të AKKP-së, në të mirë të kryerjes së punës në këtë drejtori. Kjo qeveri, tha Xhaferri, ka arritur të bindë kolegun Braçe se po punon mirë. Dy ditë më parë qeveria ka shkarkuar kryetarin e AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, duke emëruar në vend të tij Elvis Çefën. Nga Këshilli i Ministrave nuk është bërë publik motivacioni i shkarkimit të drejtorit Vatnikaj, por nga burime pranë AKKP-së është pranuar se arsyeja e shkarkimit është moshartimi në kohë i listës së pronarëve që prisnin të kompensoheshin nga fondi 5 milionë dollarë. Po sipas këtyre burimeve pranë AKKP-së mësohet se shkarkimi ka ardhur edhe për zvarritjen e procesit të njohjes, kthimit e kompensimit të pronave dhe shkelje e të drejtave të të interesuarve nëpërmjet mungesës së përgjigjeve të kërkesave drejtuar AKKP-së. Mungesa e transparencës së procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave nëpërmjet shkeljes së rregullave për mbajtjen e akteve që shërbejnë për marrjen e vendimeve të AKKP-së, mësohet të jetë edhe motivi i radhës që lidhet me largimin e ish-drejtorit të AKKP-së.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›