Komunitetet fetare përjashtohen nga detyrimet tatimore
Kuvendi ka miratuar me shumicë votash dhe pa asnjë kundërshtim tri marrëveshjet me komunitetet kryesore fetare në Shqipëri. Sipas këtyre marrëveshjeve, qeveria shqiptare rregullon marrëdhëniet ndërmjet shtetit shqiptar dhe komuniteteve fetare. Marrëveshja e parë ka të bëjë me rregullimin e marrëdhënieve me Kishën Ortodokse Autoqefale, e cila, në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjeve në fuqi, garanton ushtrimin e fesë. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje bëhet njohja dhe garantimi i paprekshmërisë së institucioneve të kultit për aq sa veprimtaria e saj nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Në nenin 5 të kësaj marrëveshjeje është parashikuar parimi i përgjithshëm për garancinë që jep shteti, për mbrojtjen e bashkëjetesës fetare për t‘u organizuar në mënyrë të pavarura nga shteti, duke respektuar parimin e laicitetit. Në nenin 6 të kësaj marrëveshjeje është parashikuar bashkërendimi i komunitetit fetar me organet shtetërore. Institucioni shtetëror që do të përfaqësojë shtetin në marrëdhëniet me komunitetet fetare, është Komuniteti Shtetëror për Kultet. Në nenin 7 të marrëveshjes është parashikuar e drejta e shtetit për t‘i njohur Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të drejtën për të krijuar struktura me karakter fetar ose jofetar. Në nenin 8 të marrëveshjes është parashikuar mënyra e fitimit të personalitetit juridik të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizimin e organizatave jofitimprurëse. Në nenin 14 të marrëveshjes është parashikuar detyrimi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për të regjistruar në organet tatimore, sikurse çdo person juridik jofitimprurës në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ndërsa në kreun e pestë të kësaj marrëveshjeje janë trajtuar çështjet e pronësisë si dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore fetare. Kjo marrëveshje, por dhe ajo me komunitetin mysliman dhe Kryegjyshatën e Bektashinjve janë miratuar nga Kuvendi me shumicë votash, vlerësuar si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita. I vetmi kundërshtim që ka bërë deputeti i PS-së, Erjon Braçe, ka qenë pamjaftueshmëri e tyre, pasi ai ka kërkuar që në to të përfshiheshin edhe kthimi i pronave për komunitetet fetare, që po mbahen peng nga qeveria, e cila ka gati tre vjet e gjysmë që në çdo festë fetare premton kthimin e tyre. Gjithashtu, marrëveshja është vlerësuar edhe nga deputeti i PD-së, Bujar Leskaj dhe ministri i Kulturës, Ylli Pango, i cili ka theksuar se në prioritet e qeverisë nuk përfshihet vetëm këto marrëveshje. Qeveria, tha Pango, po përgatit edhe ligjin për fetë, i cili i është dërguar Komisionit të Venecias për ta shqyrtuar dhe për të bërë sugjerimet apo vërejtjet e tyre. Por ne tani do të kalojmë ato pjesë që janë emergjente si pjesë të marrëveshjes financiare me komunitetet fetare.