Braçe e Balla: Kemi shkresën ku Aldo Bumçi raporton te Shkëlzen Berisha
BLEDAR HOTI
Opozita akuzoi dje ish-ministrin e Drejtësisë, deputetin e PD-së, Aldo Bumçi, se ka firmosur dhe përcjellë shkresa në emër të djalit të kryeministrit. Akuzat janë lëshuar nga dy deputetët socialistë Taulant Balla dhe Erjon Braçe në adresë të zëdhënësit të grupit të PD-së, Bumçi. Debatet nisën menjëherë pasi ish-ministri diskutoi në lidhje me marrëdhëniet me institucionet, duke u shprehur se opozita nuk ka alternativa. “Këto tre vite çështja që ka marrë më shumë është drejtësia jo në formën e një debati politik, në formën e një akuze, ku shumica dëshiron të ketë kontroll në institucionet e pavarura. Opozita kërkonte një arsye që të bllokonte ligjet e reformës dhe këtë e ka bërë. Kishim një qëndrim politik bllokues, jo një qëndrim politik për të ecur me reformat. Në këto 17 vite nuk ka ndodhur ndonjëherë që prokuroria të jetë më e pavarur ndaj Ekzekutivit seç është sot në Shqipëri”, deklaroi Bumçi. Ndërsa ka siluruar dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama për mos dhënien e konsensusit. “Opozita shqiptare është një shkretëtirë idesh dhe nuk ka asnjë alternativë. Ajo nuk ka sjellë asnjë debat, pasi debatin e zhvillon vetëm fshatrave në dialogun me Shqipërinë, ku flet vetëm kryetari i saj dhe askush tjetër. Por, debati për çështje të rëndësishme duhet të bëhet në sallën e Kuvendit”, tha zëdhënësi i grupit të PD-së.
Reagimi i PS-së
Qëndrimit të Bumçit fillimisht i është kundërpërgjigjur socialisti Taulant Balla. Ai kërkoi që ish-ministri të japë shpjegime për veprimet e tij. “Aldo Bumçi nuk duhet të flasë për drejtësinë, sepse ky njeri ka konflikt të pastër interesi me drejtësinë. Së pari ai ka qenë ministër drejtësie, por për të nuk mbahet mend asgjë të ketë bërë për reformimin e sistemit të drejtësisë. Së dyti ky ish-ministër është në hetim për një shkresë zyrtare të drejtuar një farë Shkëlzeni”, deklaroi Balla. Sipas tij, “zoti Bumçi duhet të sqarojë këtu kush është ky Shkëlzen? As në Ministri të Mbrojtjes e as në Këshill të Ministrave nuk ka ndonjë punonjës me emrin Shkëlzen. Sqaro këtu kush është ky Shkëlzeni!!!”. Pas kësaj deklarata, ish-Ministri i Drejtësisë ka marrë fjalën menjëherë duke u shprehur “nuk do që të ngatërrohet me prokurorinë”. “Kryetari juaj ka fobi nga prokuroria dhe drejtësia. Duke pasur dosje penale në prokurori dhe duke qenë se ka detyrimin të shkojë të japë sqarime për abuzimet që ka bërë në krye të Bashkisë së Tiranës, ai kujton se edhe të gjithë të tjerët kanë dosje penale në Prokurori”, theksoi Bumçi. Ndërsa ka akuzuar socialistët se kanë pasur dosjet në ministri, por nuk i kanë dërguar për kallëzim në organin e akuzës. “Kur kam marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë kam gjetur aty me dhjetëra dosje të ndryshme, të cilat “flinin” nëpër sirtarë pasi rezultati i kontrollit nuk bëhej publik me qëllim mbajtjen peng të gjyqtarëve, të cilët në çdo kohë ndiheshin të kërcënuar me dosjet e tyre. Po kështu ka ndodhur edhe me Prokurorinë, ku janë gjetur praktika të pazbatuara dhe argumenti ishte se nuk duam të ngatërrohemi me organin e akuzës”, theksoi Bumçi. Socialisti Erjon Braçe në fjalën e tij u shpreh se “ka dokumentin që vërteton atë çfarë deklaroi kolegu i partisë së tij”. “Dokumenti që përmendi zoti Balla tashmë qarkullon si kartolinë në të gjitha ambientet politike dhe publike të Tiranës dhe nuk bën këtu një element, apo person të paidentifikuar. Nuk bëhet fjala as për malin e Shkëlzenit, por bën fjalë për një njeri me emër dhe mbiemër, madje mbiemri i tij është i njëjtin bukurshkrim si emri dhe është në emrin Shkëlzen Berisha dhe është te koka e tij dokumenti. Besoj se do ta keni publikisht këtë, ju thashë në formë materiale, në formë kliptorale qarkullon si ato videot porno nëpër celularët e kalamajve”, theksoi Braçe. Nënkryetari i grupit të PS-së kërkoi që maxhoranca të mos përdorë shantazhe ndaj opozitës sa herë që ka skandale të qeverisë, duke përdorur si mjet presioni çështjen e ligjit të dosjeve.
Debati për Fazlliç, Berisha do të jetë në Kuvend të hënën
Mocioni me debat i Kryeministrit Berisha për çështjen e biznesmenit Damir Fazlliç do të zhvillohet në seancën parlamentare të së hënës. Këtë e kanë konfirmuar deputetët e opozitës, të cilët po përgatiten që të debatojnë me kryeministrin për çështjen e biznesmenit Damir Fazlliç. Konferenca e kryetarëve ka përcaktuar që debati të realizohet ditën e hënë, duke saktësuar edhe orën e debatit parlamentar për këtë çështje. Sipas burimeve është përcaktuar që opozita do të ketë në dispozicion 90 minuta, ndërsa maxhoranca do të ketë gjithsej 180 minuta. PD do të ketë në dispozicion dyfishin e kohës që kanë socialistët për këtë çështje. PS ka paraqitur një kërkesë për debat me kryeministrin për çështjen e biznesmenit boshnjak, Fazlliç në datën 8 tetor. Në Kuvend, PS-ja kërkoi bërjen publike nga ana e kryeparlamentares Topalli të datës së debatit me kryeministrin Berisha, pasi kështu e kërkonte dhe Rregullorja e Kuvendit. Socialistët akuzuan kryeparlamentaren për shkeljen e procedurave, pasi mocioni me debat duhet të realizohej brenda 30 ditëve dhe ende nuk kishin marrë një përgjigje zyrtare. Por Topalli ka bërë të ditur se nuk ka asnjë shkelje të procedurave dhe të Rregullores, duke dhënë garancinë se mocioni me debat do të realizohej patjetër. Kuvendi ka vënë në dijeni kryeministrin zyrtarisht për një çështje të tillë dhe siç duket, Berisha ka preferuar që debati të zhvillohet në seancën parlamentare të së hënës më 3 nëntor.
LSI, Xhufi: Konflikti i institucioneve, i paprecedentë
Nënkryetari i LSI-së, Pëllumbi Xhufi e cilësoi si të paprecedentë sulmet institucional në Shqipëri, duke bërë përgjegjës Kryeministrin Sali Berisha. Gjatë diskutimit të tij në Kuvend, Xhufi u shpreh se “këto muaj të fundit jemi bërë dëshmitarë të një sulmi dhe konflikti të paprecedentë me institucionet e pavarura”. “Natyrisht kryeministri nuk e ka të re këtë përplasje, Ministri i Drejtësisë është i ri e ka për herë të parë këtë. Ajo që të bën përshtypje është fakti se tregohet qartë se ka një konflikt krejt të paprinciptë me institucionet, është sërish koncepti i funksionimit të shtetit jo në ligj, por në kanun në vitet e periudhës së re”, deklaroi Xhufi. Shembulli më tipik sipas tij është nënshkrimi i marrëveshjes së kryer nga kryeministri së fundi me klerikët e tre komuniteteve fetare për shmangien nga tatimet. “Nëse s’bëhet me ligj, atëherë, kemi të bëjmë me një akt demagogjik. Siç duket Berisha e bën për t’u shenjtëruar, pasi ka deklaruar se do të jetë përjetësisht i pavdekshëm në politikë, tani kërkon të shenjtërohet. Por që të shenjtërohesh, është që të bësh dy mrekulli: një mrekulli është bërja e një ligji, mrekullia e dytë: nuk është nevoja që zoti Berisha të bëjë ndonjë mrekulli tjetër, mjafton që të mos bëjë të gjithë ato hatatë që ka bërë në këto katër vjet”, theksoi Xhufi.
Dosjet, PD-PS përplasen në forum
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike u përballën edhe njëherë me qëndrimet e tyre përsa i përket çështjes së dosjeve në një tavolinë të rrumbullakët të organizuar nga Forumi për Demokraci dhe Etike. Aleksandër Biberaj i PD-së ka mbrojtur fort tezën e hapjes së të gjitha dosjeve si në rastin gjerman dhe ky proces të kryhet nga një komision ekspertësh. “Le të bëjmë një votim nominal për këtë ligj dhe të shohim se cilët janë deputetët që janë kundër hapjes së dosjeve,” u shpreh Biberaj, i cili sqaroi pozicionin e tij se arkitektët e sistemit komunist dhe bashkëpunëtorët e tyre duhet të ndëshkohen për të mos marrë pjesë në strukturat vendimmarrëse të vendit. Ndërsa deputeti i PS-së, Taulant Balla, mendon se hapi i parë për zgjidhjen e çështjes së dosjeve është vendosja e një afati kohor.
SHBA: Mbrojtje institucioneve të pavarura
ADI SHKEMBI
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vënë sërish theksin te mbrojtja e institucioneve të pavarura në Shqipëri. Pas deklaratave të shpeshta kohët e fundit të ambasadorit Xhon Uidhers, në krah të Kryeprokurores Ina Rama, apo gjatë një aktiviteti me Kryeministrin Berisha, këtë herë është një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë që kërkon ndarjen e pushteteve. Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons, gjatë një takimi me Presidentin Bamir Topi në Pallatin e Brigadave siguroi mbështetjen e SHBA-së në rrugën drejt NATO-s të Shqipërisë, por shtoi se është i rëndësishëm konsolidimi i institucioneve të pavarura. “Nga ana e tij, zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons, duke falënderuar për pritjen e ngrohtë, e siguroi kreun e shtetit se qeveria amerikane do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm proceset integruese të Shqipërisë në NATO dhe përmbushjen e aspiratave integruese të popullit shqiptar, duke nënvizuar rëndësinë e reformës në drejtësi dhe mbrojtjen e konsolidimin e institucioneve të pavarura dhe ndarjes së pushteteve”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës. Gjithashtu zv.ndihmës sekretari amerikan i Shtetit vlerësoi lart rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, duke theksuar nevojën që tashmë, pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës, mbarë Ballkani duhet të projektohet drejt një zhvillimi të plotë integrues dhe bashkëpunimi më të ngushtë ekonomik. Nga ana e tij, Presidenti Topi vlerësoi mbështetjen e SHBA-së në procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë. “Presidenti Topi vlerësoi lart gjithashtu ndihmesën e vazhdueshme dhe gatishmërinë e Presidentit Xhorxh W. Bush, të SHBA-së dhe administratës amerikane për të ndihmuar në proceset reformuese të sistemit të drejtësi në Shqipëri, të ruajtjes dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura dhe kryerjes së reformave të gjithanshme si ajo në sistemin zgjedhor, ekonomike etj.”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Deklaratat e zyrtarëve amerikanë vijnë pas përplasjeve të fundit të qeverisë me institucionet e drejtësisë. Gjatë ditës së djeshme, zv.ndihmës sekretari amerikan i Shtetit është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Kreu i Mbrojtjes shprehu bindjen se Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura do të vazhdojnë rrugën e reformave. “Ne kemi plane të qarta për shkatërrimin e municioneve të tepërta, gjithashtu do të vazhdojmë kontributin tonë përkrah forcave aleate, në misionin në Afganistan deri sa kjo të kërkohet nga NATO dhe se reformat tona do të vazhdojnë pa u ndalur, me qëllim që ne të bëhemi anëtarë të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut”, tha Oketa. Zv.ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Xhons, shprehu vlerësime për arritjet e shënuara nga Shqipëria në procesin drejt anëtarësimit të plotë në NATO. “Ratifikimi i protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në Senatin amerikan dhe firmosja e tij nga Presidenti Bush ishte një arritje e rëndësishme e Shqipërisë, por mbeten akoma shumë angazhime të tjera pas anëtarësimit tuaj në NATO”, theksoi Xhons. Në ditën e parë të vizitës në Shqipëri, Xhons u takua me Kryeministrin Berisha, kreun e Ministrisë së Jashtme, Lulzim Basha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Topi: Pavarësia e institucioneves’realizohet vetëm me një fjalë goje
Presidenti Bamir Topi shpreh sërish nevojën për pavarësinë e sistemit gjyqësor. Duke folur në prezantimin e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, kreu i shtetit është shprehur se “mos mendoni që pavarësia realizohet me një fjalë goje. Edhe tek vetë personi duhet të jetë koshienca e plotë që të fitojë pavarësinë individuale mbi bazën e zbatimit korrekt të ligjit, mbi bazën e zbatimit korrekt të të gjithë parimeve të profesionit të gjyqtarit, pastaj të krijohet mjedisi, të krijohen të gjitha kushtet që ne dita-ditës të fitojmë betejën e pavarësimit dhe beteja e pavarësimit është konsolidim i institucioneve”, theksoi Topi. “E rëndësishme është që tendenca të jetë në progres dhe unë jam i bindur që secili nga ju e ka në vetvete tharmin e pavarësisë dhe këtë duhet të bëjmë pavarësi institucionale. Me kalimin e viteve, pushtetet duhet të ndahen, por të ndahen duke kooperuar dhe pastaj do të bëjmë të mundur realizimin e asaj ëndrre për të cilën po punojnë të gjitha pushtetet – ajo që thashë pak më parë – që të integrohemi sa më shpejt në familjen evropiane, në NATO, sepse atëherë standardet tona garantohen edhe nga bashkëpunimi institucional ndërkombëtar”, vijoi më tej kreu i shtetit. Ndërsa kryetarja e re e kësaj gjykate, Shpresa Beçaj, vuri theksin te detyrat e institucionit për Reformën në Drejtësi. “Theksoj rëndësinë e detyrave të mëdha që kemi përpara për Reformën në sistemin e Drejtësisë, për pavarësinë e sistemit gjyqësor, për një drejtësi bashkëkohore që të udhëhiqet nga ligji, profesionalizmi, ndershmëria e devocioni në kryerjen e kësaj detyre sublime”, theksoi Beçaj. Gjykata e Lartë përplasi pak kohë më parë Presidentin me shumicën parlamentare, kur kjo e fundit rrëzoi pesë kandidatura për anëtarë të kësaj gjykate. Më pas u desh një proces konsultimi në shkallë të gjerë të Topit që çoi në emërimin e tyre.