E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalimash-Morinë, 30 kilometrat e ferrit të rrugës për Kosovë

 

Nga i dërguari ynë në Kukës, Ferdinand Dervishi

Në Kalimash, aty ku qyteti i Kukësit shfaqet panoramik pranë lastrave të argjendta të liqenit që ushqen hidrocentralet mbi Drin, nëse nuk ka kthyer pasditja, koha ende mban e ngrohtë. Në të majtë një kantier gjigant i kompanisë amerikano–turke “Bechtel & Enka” thyen pamjen pothuaj pa asnjë shtëpi të banuar pasi ke lënë pas Fushë-Arrëzin, duke përshkuar rreth 70 kilometra që përbëhen në të shumtën e tyre nga qindra kthesa. Kthesa që të terrorizojnë e të sjellin zorrët të grykë ende pa u nisur nga Tirana.Por nëse përmbajtja e stomakut nuk është nxjerrë jashtë, pra nëse krejt për fat kjo nuk ka ndodhur, gjurma e autostradës që ka çarë malet dhe që zbret deri në të hyrë të qytetit, të shton shpresat se radhën tjetër, që mund të qëllojë vitin tjetër, mbase, mbase..., rruga do jetë përfunduar dhe stomaku do shpëtojë nga probleme të ngjashme. Por duke udhëtuar paralel, apo përmbi gjurmën e autostradës së premtuar, shpresat nisin të zvogëlohen kur dëgjon opinionet, nisur nga të banorëve të zonës. Të cilët pothuaj të gjithë janë të bindur se autostrada, apo pjesa e kësaj ane, do të jetë gati mbase vetëm pas dy apo tri vitesh nisur nga momenti kur flasim. Një bindje që nuk e lëvizin aspak në bazën e saj edhe inxhinierë e teknikë të firmave të ndryshme, që u është dhënë ta ndërtojnë, të ndarë në tetë pjesë, këtë segment prej vetëm 30 kilometrash.
Tenderimi i vonuar
Pjesa më e vështirë që i pret krahët të gjitha hamendësive të mundshme për inaugurimin në një kohë të afërt, përgjatë apo para zgjedhjeve të ardhme parlamentare, është ajo Kalimash – Rexhepaj, e tenderuar vetëm në fillim të këtij viti, në një kohë që në segmentet e tjerë puna ka nisur që në 2006-ën. Bëhet fjalë për segmentin që vendoset menjëherë aty ky përfundon pjesa e luanit, ajo e “Bechtel & Enka”, një terren tepër i thyer, që kërkon ndërtimin e rreth 10 urave, një nga të cilat kap edhe rekordin e gjithë autostradës për në Kosovë me gjatësinë e saj prej 440 metrash. Mbase për këtë shkak, të vështirësisë së terrenit, ky segment u tenderua me kaq vonesë, gjithsesi kuvajtianët e shqiptarët e firmës së përbashkët “COPRI I.V. Albbuilding sh.p.k.” duket e kanë marrë shumë seriozisht, pasi në pak muaj, që nga prilli i këtij viti, pothuaj kanë barazuar në punime firmat e tjera që punojnë prej dy vjetësh. “Është një segment shumë i vështirë prej vetëm 5.6 kilometrash, por që kërkon ndërtimin e 10 urave në një terren malor shumë të rrezikshëm. Vështirësia mund të kuptohet edhe prej vlerës, pra janë rreth 41 milionë dollarë për vetëm 5.6 kilometra”, shpjegon Fatjon Bejko, një inxhinier zbatues i punësuar nga kjo firmë. Sipas Bejkos, punimet e nisura në prill 2008 duhet të përfundojnë pas 18 muajsh, pra në tetor 2009, por problemet me shpronësimet, që ende nuk kanë marrë udhë në masën qind për qind, moti i keq me borë e shi, përbëjnë kohë të vendosur përmbi këtë afat. Një pohim që në rastin më të mirë, krejt natyrshëm, e zhvendos për vitin 2010 inaugurimin e këtij segmenti. Për fat të mirë kredia e dhënë nga një bankë arabe mbulon ndërtimin e kësaj pjese me katër korsi, duke e sjellë kështu superstradën për në Kosovë me të gjitha parametrat optimalë deri në rrëzë të qytetit të Kukësit, pranë urës mbi Drinin e Zi.
Me katër apo
me dy korsi?
Pas kësaj ure, pamja e rreth 25 kilometrave të mbetura deri në kufi shpërfytyrohet. Një tjetër firmë e përbashkët, kësaj radhe shqiptare, Gjoka sh.p.k & Fusha sh.p.k., është e detyruar për shkak të projektit, por edhe të fondit, të vazhdojë ndërtimin e autostradës vetëm me dy korsi. Një nonsens i pashpresë që bashkuar me aksin po me dy korsi Milot – Rrëshen, përbën edhe çudinë më të madhe të të gjithë projektit. “Në fakt firmave që po punojnë në këtë pjesë me dy korsi të autostradës u është kërkuar në mënyrë jo zyrtare që gjurmën e rrugës ta hapin për katër korsi. Të njëjtëve u është thënë se përkundër këtij favori, në një të ardhme të afërt, mund t’u lëvrohet edhe fondi për dy korsitë e tjera. Dhe në fakt, pjesa më e madhe e firmave, kryesisht ato shqiptare, e kanë marrë si të mirëqenë këtë marrëveshje të heshtur, duke e hapur rrugën për katër korsi. Por maqedonasit e “Granit” nuk e kanë marrë mundimin, ata kanë punuar vetëm për dy korsi, aq sa është projekti dhe kundërvlefta e fituar me tender. Gjithsesi kjo nuk dëmton gjë nga pikëpamja teknike”, shpjegon një inxhinier i autostradës që kërkon të mbetet anonim.      
Një tjetër problem në këtë aks të rrugës është konsideruar edhe kalimi i autostradës përmbi urën e vjetër mbi Drinin e Zi. Të paktën deri dje gjurma e autostradës dukshëm shkonte deri në rrëzë të urës. Ky fakt, por edhe këndi i vendosjes së urës me autostradën është kontestuar nga njohës të teknikave të ndërtimit të autostradave si i rrezikshëm dhe burim aksidentesh. Gjithsesi thuhet se për të zgjidhur këtë problem është hartuar ose është në proces e sipër një tjetër projekt, që anashkalon urën e Drinit të Zi.  
Unaza pa dashje e qytetit
Pas urës mbi Drinin e Zi, firmat që ndërtojnë Lotin 7, “Gjoka sh.p.k. & Fusha sh.p.k., kanë hapur trasenë e autostradës duke e kaluar qytetin e Kukësit nga mbrapa, pra duke e lënë atë në lindje. Pranë Drejtorisë së Policisë, një firmë kosovare merr stafetën për të ndërtuar vetëm dy kilometra të tjerë si dhe një rreth-rrotullim, një tjetër projekt që nuk ishte parashikuar dhe që lindi në kohën kur banorët e tre pallateve të qytetit kontestuan me forcë ofertat, qoftë monetare, për shpronësimin dhe largimin në banesa të tjera. Një problem që krejt çuditshëm u zgjidh duke devijuar krejt autostradën, dhe duke pjellë një segment krejt të paparashikuar që nuk i hynte më askujt në punë, pasi ndërkohë trupi i rrugës ishte hapur deri në afërsi të këtyre ndërtesave. Por pikërisht në këtë segment që mund të quhet edhe “zorra qorre” e autostradës, punohet si në të gjitha pjesët e tjera të saj. “Punohet, pra ka një fond edhe për këtë segment, pasi është parashikuar që të jetë unaza veriore e hyrjes për në qytetin e Kukësit. Pra u gjet një zgjidhje, që të mos shkonte dëm puna e bërë deri në momentin kur projekti ndryshoi”, shpjegon i njëjti specialist që lutet të mos i bëhet emri publik. Ndërkohë i pyetur nëse ka përqasje mes shumës së pretenduar nga pronarët e tre pallateve me këtë të shtuar në projektin e ri, specialisti drejton sytë nga qielli. Një shenjë me të cilën kërkon të pohojë se harxhimi i shtetit me këtë zgjidhje është shumë herë më i madh.      
Korrektë dhe jokorrektë
Por problemi më i madh i vënë re në ndërtimin e kësaj pjese të autostradës duket se janë vetë firmat e shumta që kanë marrë përsipër ndërtimin. Janë gjithsej shtatë apo tetë dhe që të gjitha dallojnë nga njëra–tjetra në seriozitetin e punimeve dhe respektimin e afateve. Kështu në tabelat ku shënohen të dhënat për dorëzimin e segmenteve përkatëse, në një pjesë të mirë të tyre, punimet duhet të kishin përfunduar në fillim të këtij viti, pasi ato kanë nisur që më 2006-ën. Por në asnjë nga pjesët, me gjithë dy vitet e shkuara, kjo nuk ka ndodhur, madje punimet e të gjitha këtyre firmave nuk dallojnë nga punimet e atyre, që për shkak të tenderimit të vonuar, apo ndryshimit të projektit, kanë nisur dy vjet më pas. Kështu nisur që nga Kalimashi deri në Morinë, pamja e përftuar është e njëjtë. Traseja e hapur flet për punime të sapofilluara apo në rastin më të mirë të shkuara deri në mesin e të gjithë proceseve. Një fenomen që nuk ka shkuar pa rënë në sy të banorëve të zonës, të cilët të lodhur nga gropat e reja të autostradës shprehin në formën e një dëshire të nisur me “ah sikur” idenë se më mirë do të kishte qenë që edhe këtë pjesë të rrugës të mos e kishin ndarë në tetë lote, por ta kishin bërë amerikanët e “Bechtel”. Gjithsesi duket qartë se janë firmat shqiptare ato që janë shumë më të avashta dhe më hileqare se të tjerat në ndërtimin e autostradës. Madje në ndonjë rast edhe me probleme dhe me cilësi të kontestuar, apo punimesh të kthyera mbrapsht. Nga ana tjetër, kuvajtianët dhe shqiptarët e firmës “COPRI I.V. Albbuilding sh.p.k., kanë bërë punë të dukshme edhe pse e kanë hedhur lopatën e parë në prill të këtij viti, edhe pse punojnë në terrenin më të vështirë, ndërkohë që kosovarët e “Viktoria Invest” që kanë nisur të punojnë edhe këta shumë vonë, në mes të këtij viti, pothuaj e kanë kryer shumicën e detyrimit. Në pjesën e tyre shoferët e makinave shtojnë gazin, pasi segmenti prej 5 kilometrash është rrafshuar shumë mirë në gjithë gjatësinë e vet. “Duhet vetëm një shtresë e hollë granili dhe më tej mund të shtrohet asfalti”, pohon një nga punëtorët shqiptarë të “Viktoria Invest”, Alban Ferhati, specialist i armaturave.
Kështu një njohës i mirë, apo edhe një vëzhgues i rëndomtë, mund të konkludojë se në të gjithë segmentin Kalimash – Morinë mund të flitet për nisje të punimeve pa shkuar në asnjë rast më shumë se në 50 për qind të totalit. Një rezultat që shtyn edhe të paktën dy apo tre vite të tjera inaugurimin e kësaj pjese, duke kapërcyer po kaq në kohë pretendimin se segmenti i “Bechtel & Enka” do të jetë gati në qershor 2009, gjatë fushatës së zgjedhjeve. 

Problemi i varreve të Morinës, punimet në autostradë do nisin pas tre muajsh

Nis zhvendosja e varrezave në Morin të Kukësit. Spostimi i eshtrave pritet t’i hapë rrugën punimeve të autostradës. Prej shumë kohësh punimet kishin mbetur pezull për shkak se projekti parashikonte rrugën mes përmes varrezave. Me një fond prej 110 milionë lekë të vjetër, dy firma që kanë dalë fituese të një tenderi të posaçëm, do të realizojnë spostimin e eshtrave brenda një kohe të shkurtër. Janë rreth 700 varre që duhen hequr. Prej rreth dy vitesh në Morin të Kukësit nuk gjendej zgjidhje për vendin ku do të zhvendoseshin eshtrat. “Ka qenë një nga problemet e pazgjidhur në aksin Kukës-Morin dhe mesa shihet brenda tre muajve të ardhshëm aty mund të hedhim asfaltin”, tha një përfaqësues i supervizionit të këtij aksi, i cili ishte i pranishëm në fillimin e punës. Për komunitetin dhe drejtuesit vendorë, fondi i dhënë nga qeveria nuk është i mjaftueshëm. “Nga 7 mijë m2 që është kërkuar për zhvendosjen e varrezave, janë dhënë vetëm 4 mijë m2. Por edhe vendi ku do të zhvendoset ende nuk është shpronësuar”, u shpreh kryetari i komunës, Remzi Veseli. Nisja e punës për zhvendosjen e eshtrave nga varret e vjetra ka hasur edhe në një tjetër problematikë. Shumë varre të vjetra nuk kanë asnjë shenjë dalluese për identifikim. Banorët pohuan se kanë marrë përsipër të identifikojnë secili të parët e vet aq sa do të jetë e mundur. Në këtë fshat, sipas pohimit të menaxhuesve të projektit janë mbi 700 varre të destinuar për t’u zhvendosur. Punimet e firmave ndërtuese në kuadër të kompanisë “Viktoria Invest” si dhe “Geci”, prej gati një viti kanë pezulluar punën duke tërhequr makineritë e rënda për shkak të varrezave. Dhjetëra banorë të fshatit në Morin kanë marrë pjesë në fillimin e punimeve për zhvendosjen e eshtrave të të afërmve të tyre. Blloku i varrezave është 1 kilometër larg kufirit me Kosovën dhe korridori Durrës-Kukës-Morin kalon përmes tyre. Disa herë fadromat duke gërmuar kishin hasur në eshtra. U desh protesta e banorëve dhe ndërhyrja e policisë dhe prokurorisë që punimet të pezulloheshin. Prej një viti banorët nuk kanë varrosur të afërmit e tyre në varrezën e vjetër, por është improvizuar një e re aty ku mendohet se do të bëhet zhvendosja.                             j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›