Braçe e Pëllumbi mungojnë në Asamblenë Kombëtare të PS-së
Gjatë punimeve të djeshme të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të zhvilluar në Fier, është vënë re mungesa e dy protagonistëve kryesorë të kësaj Asambleje. Servet Pëllumbi dhe Erion Braçe, të cilët kohët e fundit kanë shprehur në publik mendime të ndryshme nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare. Në takim kanë folur sekretari për Çështjet Ligjore Fatmir Xhafaj dhe sekretari Organizativ, Blendi Klosi. Ata kanë paraqitur shkurtimisht të rejat që kishin të bënin me Kodin Zgjedhor dhe organizimin e zgjedhjeve brenda Partisë Socialiste. Mësohet se për propozimet që do të ketë Partia Socialiste për Kodin Zgjedhor, drafti do të miratohet vetëm nga Kryesia e Partisë Socialiste dhe jo nga Asambleja Kombëtare e saj. Në këtë takim ka folur edhe kreu i selisë rozë, Edi Rama, i cili ka bërë thirrje për forcimin e së majtës dhe bashkimin drejt një politike të re. Rama ka kërkuar hartimin e draftit të ri të programit politik, që pritet të paraqitet brenda muajit shtator.
Kryetari i Partisë Socialiste kritikoi qeverinë “Berisha”, duke e cilësuar atë si të dështuar në të gjitha aspektet. “Qeveria ‘Berisha’ ka dështuar sidomos në infrastrukturë, në aspektin rrugor dhe në ekonomi. Në vendin tonë dominon importi, ndërsa prodhimi vendas nuk ka pasur stimulimin e duhur. Kjo vjen si pasojë e politikave të gabuara ekonomike të qeverisë, të cilat kanë qenë të dështuara dhe ineficente”, - u shpreh Rama. Ai kërkoi përkushtimin më të madh të strukturave të Partisë Socialiste, sidomos në bazën e saj. Rama tha se të gjithë duhet të largohen nga politika e vjetër dhe duhet të bashkohen me politikën e re, me të cilën Partia Socialiste do të qeverisë vendin pas zgjedhjeve të vitit 2009.
14 Korrik 2008