“Ndërkombëtaret” në ethet e Europës
Kampionia e Shqipërisë, Dinamo, që merr pjesë në Ligën e Kampioneve; fituesja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia, që merr pjesë në Kupën UEFA dhe nënkampioni i sezonit të kaluar, Partizani, që gjithashtu merr pjesë në Kupën UEFA, i dhanë fund “arratisë’ në kampingjet e Mavrovës në Maqedoni, Nikshiqit në Malin e Zi dhe Pogradecit, duke u kthyer përfundimisht në bazë për t’i dhënë dorën e fundit përgatitjeve përpara se të nisin aventurën në kompeticionet evropiane.
DINAMO - Pasi i dha fund nëntë ditëve maqedonase, ku zhvilloi dy ndeshje miqësore me Gostivarit e Kumanovës, Dinamo nis dje stërvitjet në kompleksin e saj, kur kanë mbetur më pak se një javë nga ndeshja e parë në Ligën e Kampioneve kundër boshnjakëve të Modricës. Takimi do të luhet të martën e ardhshme në “Qemal Stafa”, më 15 korrik, ora 20:00 dhe do të gjykohet nga një treshe franceze me kryesor Said Enjemi. Ndihmës të tij do të jenë Frederik Kano dhe Hyg Berli. 17-herë kampionët e Shqipërisë zhvilluan një merkato tërësisht argjentinase, përfshirë edhe trajnerin Marselo Zuleta, por nga lojtarët i vetmi që ka bindur është sulmuesi Kampozano, ndërsa hije dyshimi është hedhur mbi portierin Borto, ndërsa të pakënaqur anëtarët e stafit presidencial janë për mesfushorin dhe mbrojtësin. Zuleta është përpara një prove të vështirë pasi argjentinasit i kërkohet patjetër kualifikimi me një kundërshtar modest si Modrica, përndryshe do të ketë fatin e Ramon Kabreros, argjentinasit tjetër që dështoi para dy sezonesh në Kupën Intertoto. Ballafaqimi i fundit i Dinamos në Ligën e Kampioneve ka qenë ai në sezonin 2002-2003, ku blutë arritën edhe të kalonin turin e parë. Dinamo fitoi në transfertë 2-3 me FK Kaunas në Lituani (17 korrik 2002: golat Ahmataj 55’, Pisha 56’, Qorri 76’ )dhe barazoi 0-0 në Tiranë (24.07.2002). Në turin e dytë Dinamo u eliminua nga Brondby e Danimarkës (dy humbje 0-1, 0-4).
VLLAZNIA – Skuadra shkodrane fitoi miqësoren e dytë në kuadër të përgatitjeve për Kupën UEFA. Skuadra e Agim Canaj fitoi 3-2 me ekipin malazias Zeta. Në formacionin fillestar në portë për Vllazninë luajti Olti Bishani, mbrojtja u përbë nga Beqiri, Belisha, Doçi, Bashiç, mesfusha me katërshen Osja, Nallbani, Smajli, Lika, ndërsa vijën sulmuese e përbënë Albert Kaçi e Xhevair Sukaj. Dy golat e parë u shënuan nga kundërshtarët e shkodranëve, por kuqeblutë gjetën forca të përmbysnin dizavantazhin me anë të Gilman Likës, Xhevair Sukajt e brazilianit Kleber De Lima. Në miqësoren e parë Vllaznia fitoi 1-0 kundër Deçiçit. Ende në provë janë braziliani Kleber De Lima dhe një sulmues çek, Mirosllav Millosh. Vllaznia u rikthye në Shkodër pas përgatitjeve në Malin e Zi dhe më 17 korrik do të përballet në turin e parë eliminator të Kupës UEFA kundër ekipit slloven Koper.
PARTIZANI – Skuadra e Hasan Likës i dha fund përgatitjeve në Pogradec, ku qëndroi gati dy javë dhe dje u kthye në Tiranë, ku sot do të nisë përgatitjet për ballafaqimet e dyfishta në ndeshjet e Kupës UEFA kundër boshnjakëve të Shiroki Brijeg, ndeshje që do të luhen më 17 dhe 31 korrik 2008. Portieri i Tiranës, Blendi Nallbani dhe sulmuesi i Elbasanit, Skerdi Bejzade, do të jenë pjesë e Partizanit Partizani i bën kështu një “mbulim” të fortë katërkëndëshit të kuq të lënë bosh nga largimi i Orges Shehit (ende pa një ekip). Për 38-vjeçarin Nallbani (lojtari më i moshuar në Superligë), është rikthim i tretë te Partizani. Blendi fillimet e tij si futbollist i ka te të kuqtë në vitin 1987, madje dhe debutimin e tij zyrtar në kampionatin maksimal shqiptar, e ka po me Partizanin (17 shtator 1990). Nallbani, i cili ka dhe një eksperiencë të shkurtër në Rumani me Dinamon e Bukureshtit e Bistricën, njihet për reflekset e tij në portë. Edhe për sulmuesin Skerdi Bejzade, fillimet sportive të cilit kanë rrënjë te Dinamo (1991-1993), bëhet fjalë për një rikthim te Partizani, për të cilin ka luajtur një sezon në sezonin 2003-2004. Ish-lojtari i Vllaznisë e Elbasanit, ka gjithashtu një eksperiencë ndërkombëtare në Gjermani me Arminia Hanover. 33-vjeçari njihet për potencën e grintën e tij në veprimet sulmuese.
Kapllani, “vrasësi” i miqësoreve
Tetë gola në tri ndeshje miqësore përbëjnë një bilanc “vrasës” për sulmuesin shqiptar të Karlsruhes, Edmond Kapllani, i cili pati një sezon me problemë në debutimin e tij të parë në Bundesligën 1. Edhe pse flitet për “lumë golash” – Kapllani realizoi 5 gola brenda 20 minutash kundër VFB Bulh – në teste kundër ekipeve lokale, rajonale apo dhe të kategorisë së katërt, trajneri Edmund Beker, pohon se ka parë te sulmuesi i Kombëtares shqiptare, një lojtar me një mentalitet agresiv, të etur për të lënë pas zhgënjimin dhe të gatshëm për të bërë një sezon të madh në vitin e dytë të tij në Bundesligë dhe për t’i siguruar mbijetesën Karlsruhes. Trajneri Edmund Beker është duke aplikuar një skemë me pesë mesfushorë e një sulmues, dhe mësa duket Kapllani do të jetë opsioni i parë, pasi durrsaku ka lënë në hije “armikun” e tij më të madh të Karlsruhe, australianin Xhoshua Kenedi (vetëm katër gola në miqësore). Kapllani shënoi një gol kundër Tus Metzingen (4-0), pesë gola ndaj VFB Bulh (13-0) dhe dy gola në testin e tretë dhe të fundit për momentin kundër SV Schluchtern (10-0). Karslsuhe ishte ekipi i parë nga 18 skuadrat e Bundesligës që filloi fazën përgatitore duke shpallur haptazi synimet e saj për një vend në kupat europiane – të paktën në Intertoto - parë faktin që sezonin e kaluar e mbylli në vendin e 11-të.
12 Korrik 2008