E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: “Sulmi i Delijorgjit ndaj meje, Gërdeci i dytë për Drejtësinë”

Nënkryetari i KLD-së: “Shteti të tregojë anën e kujt mban”. Spahiu: “Konflikti me ministrin Alibeaj ishte artificial”

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, e cilëson si një Gërdec të dytë për Drejtësinë sulmin ndaj tij prej Mihal Delijorgjit, drejtuesit të kompanisë që kryente çmontime në Gërdec, i cili pak ditë më parë iu drejtua me një letër autoriteteve shtetërore. Qëndrimi ndaj kësaj situate, sipas tij, do të jetë një test për shtetin, për të dëshmuar se në anën e kujt është. Në një bisedë me Zërin e Amerikës zoti Spahiu e konsideron artificial konfliktin e lindur me ministrin e Drejtësisë Alibeaj dhe antikushtetuese kërkesën për verifikimin e veprimtarisë së tij si nënkryetar.
Konflikti artificial
Është kthyer gati në një luftë të ftohtë përplasja mes ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë, Kreshnik Spahiu. "Do të thosha që gjithçka është artificiale”, - shpjegon zoti Spahiu. “Prej shumë kohësh, ndoshta për herë të parë në KLD ka pasur një harmoni të plotë dhe një vendimmarrje konsensuale, përfshirë dhe një dialog shumë konstruktiv brenda KLD-së. Me bindje ju them se çdo kërkesë apo pretendim i ardhur nga ministri i Drejtësisë deri sot është pranuar në 100 për qind të rasteve, sikundër ka pasur një bashkëpunim shumë serioz".
Edhe ministri i Drejtësisë Alibeaj ka folur për një konflikt të stisur duke akuzuar zotin Spahiu për protagonizëm politik. "Protagonizëm politik nga ana ime nuk mund të ketë, sepse unë nuk përfaqësoj asnjë parti politike” - replikon zoti Spahiu. “Ky protagonizëm mund të jetë nga ana e ministrit. Së dyti, nuk ka pasur asnjë tendencë të këtij protagonizmi, se kjo është dalja ime e parë për këtë çështje dhe nuk kam shprehur në asnjë rast asnjë rezervë apo kritikë në adresë të ministrit të Drejtësisë, i cili është anëtar “ex officio”. Të gjitha deklaratat, kundërdeklaratat e qëndrimet antagoniste në 7 apo 8 raste kanë ardhur nga ana e ministrit.
Kërkesa antikushtetuese
Pak ditë më parë ministri i Drejtësisë kërkoi verifikimin e ligjshmërisë së ushtrimit të detyrës nga ana e nënkryetarit Spahiu. Këshilli i Lartë e hodhi poshtë me votim këtë kërkesë. Ministri Alibeaj nga ana e tij e quajti të gabuar qëndrimin e Këshillit, mosrespektim të ligjit dhe ka përsëritur publikisht kërkesën. Por zoti Spahiu është i mendimit se kjo kërkesë është antikushtetuese: "Për herë të parë pas 15 vitesh, në historinë e tij dhe të jurisprudencës shqiptare bëhet një kërkesë kaq antikushtetuese dhe antiligjore. Dhe besoj se përgjigjja më e mirë është vendimi i KLD-së, i cili e rrëzoi si të pabazuar në ligj këtë kërkesë dhe më pas edhe vendimi i vet ministrit me nënshkrimin që i bëri raportit të kontrollit të Inspektoratit të KLD-së, që ishte bërë objekt i debatit e diskutimit. Pra vetë ministri ka pranuar që ky raport dhe ky kontroll ka qenë i rregullt".
Gërdeci në Drejtësi
Por ministri, nga ana e tij, është shprehur se debati nuk ka qenë për çështjen e propozimit për procedim disiplinor të tre gjyqtarëve që i dhanë pafajësinë Mihal Delijorgjit, drejtuesit të shoqërisë që kryente çmontimet në Gërdec. Ai e ka firmosur nisjen e procedimit. Pak ditë më parë tha se çështja do t’i nënshtrohet tashmë Këshillit, sikundër dje njoftoi se do të kërkojë të njëjtën masë edhe për tre gjyqtarë të tjerë dhe dy prokurorë.
"Ne mirëpresim edhe zgjimin nga gjumi letargjik të ministrit për t’u përfshirë në llogoren antikorrupsion, ne mirëpresim çdokënd që të përfshihet në këtë luftë”, - shprehet nënkryetari i KLD-së. “Raporti i kontrollit për gjyqtarët që liruan të dyshuarin për autorin kryesor të shpërthimit të Gërdecit ka shkaktuar një debat kaq të madh. Më pas kjo u shoqërua me një Gërdec të dytë për Drejtësinë shqiptare, që është letra dhe kërcënimi që ka marrë Kreshnik Spahiu nga qelitë e burgut nga Mihal Delijorgji dhe në këtë kontekst do të thosha se pa paragjykuar hartuesit apo bashkautorët e kësaj letre, qëndrimi ndaj Kreshnik Spahiut do të jetë një test nëse shteti do të mbajë anën e Drejtësisë, apo anën e Mihal Delijorgjëve". Të dy protagonistët e kësaj përplasjeje e cilësojnë atë artificiale, ndonëse debatet vazhdojnë prej shumë ditësh, të ngarkuara me insinuata të forta. Tashmë mbetet për të parë nëse ajo është vërtet e tillë, apo si shumë vëzhgues vlerësojnë, ka dhe një sfond politik.
A. Mero
Marrë nga “Zëri i Amerikës”

14 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›