Braçe fton Olldashin: Të shkojmë në prokurori
Aksi i Durrës-Kukës ka sjellë sërish debate të ashpra në Kuvend, ku kësaj here protagonistë kanë qenë ministri i Punëve Publike, Olldashi dhe deputeti i PS-së, Erjon Braçe. Shkak për debatin është bërë kostoja e rrugës, që për socialistët konsiderohet tepër e lartë. "Nga i gjithë buxheti 2009 për rrugët, i parashikuar në 36.8 miliardë lekë, rreth 86% e këtij fondi shkon për Rrëshen-Kalimash, ndërsa pjesa e mbetur për të gjitha rrugët e vendit. Ndërkaq, po t‘i referohemi raportit të prokurorisë, deri tani me rrugën është abuzuar në masën e 232 milionë eurove, ndërsa vlera totale shkon në 1 miliard euro", tha Braçe. Sipas tij, opozita nuk është kundër ndërtimit të rrugës, por nuk pranon abuzimet që po kryhen mbi të. "Berisha pati thënë se edhe byzylykët dhe varëset e grave tona do t‘i shkrijmë për ndërtimin e kësaj rruge. Këtë premtim ai po e mban", shtoi zv/kryetari i grupit parlamentar të PS-së. Për ministrin Olldashi, krahasimet e bëra nga opozita janë të padrejta. "Çdo punim mund të matet shumë mirë. Rruga çdo ditë e më shumë po merr formë dhe kjo duket qartë", tha ministri. Për replikë, Braçe iu drejtua Olldashit, duke i thënë se mund të shkonin bashkë në prokurori për të vërtetuar dëmin e rrugës.