E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, paketë antikrizë për buxhetin 2009

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste diskutoi dje lidhur me buxhetin e vitit 2009, për shkak se ishte programuar votimi në parim. "Natyrisht, vota e grupit socialist është votë kundër, sepse nuk mund të jetë votë pro një buxheti që varfëron shqiptarët", deklaroi kryetarja e grupit, Valentina Leskaj. Sipas saj, buxheti i paraqitur nga qeveria për 2009-ën ka probleme të mëdha, sepse varfëron Shqipërinë. "Është një buxhet që ka probleme të mëdha lidhur me mungesën e një pakete antikrizë, ndërkohë që të gjitha vendet evropiane dhe përtej tyre, kanë paraqitur paketa antikrizë, për të përballuar krizën që është në derë edhe për Shqipërinë", tha Leskaj. Teksa shtoi se në buxhet nuk kemi një paketë serioze antikrizë dhe kjo është një tjetër element garancie që varfëria do të thellohet. "Ka probleme të mëdha për sa u takon investimeve, sidomos çështja që ka të bëjë me fillimin e investimeve, duke alokuar 5-10% të fondeve, gjë që është e palejueshme, ndërkohë që do të thotë ta kthesh buxhetin në një piramidë", vijoi Leskaj. Drejtuesja socialiste konstatoi se ka probleme të mëdha me institucionet e pavarura, për sa kohë që qeveria pretendon se është e angazhuar për të luftuar korrupsionin, i cili nuk mund të luftohet për sa kohë institucionet e pavarura kondicionohen me buxhet, pra nuk u plotësohet buxheti. "Ka probleme lidhur me buxhetin për ish-pronarët, të përndjekurit dhe mjaft probleme të tjera. Ne si grup parlamentar socialist kemi përgatitur një paketë propozimesh, të cilën do ta paraqesim nesër në formën e një buxheti alternativ. Shpresoj që qeveria të reflektojë, edhe pse ne e bëmë këtë vitin e kaluar, por nuk u mor në konsideratë", theksoi Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›