Galiani: Premiershipi dhe La Liga, më të mira se Seria A
Stadiumet e amortizuar, bari me ngjyra të ndryshme dhe mungesa e tifozëve janë disa nga arsyet se përse edhe Adriano Galiani mendon se Seria A nuk mund të krahasohet me Premiershipin anglez apo me La Ligan spanjolle. Zv/presidenti i Milanit është dakord me fjalët e Hoze Murinjos, që pak ditë më parë kishte thënë se kampionati italian nuk pëlqehet nëpër botë. Janë të shumtë ata që këmbëngulin se Seria A vazhdon të mbetet liga më e fortë në botë, por në realitet, "calcio" vazhdon të humbasë terren me kampionatet e tjerë në kontinent. "Jam dakord me Murinjon, futbolli italian ndodhet shumë më mbrapa se rivalët direktë. Premiershipi dhe La Liga janë më të mira se Seria A", pohoi ai për "Sky Sport". "Nuk duhet të harrojmë faktin se në këtë sezon, nuk kemi shitur asnjë të drejtë televizive në Angli dhe Gjermani. Kjo nuk ka ndodhur, sepse skuadrat nuk janë të mira. Arsyeja është gjendja e keqe e stadiumeve, ata janë gjithmonë të boshatisur dhe nuk ngjasojnë aspak me impiantet e bukura që shihni në Angli. Gjendja e fushave italiane është shumë e keqe: bari është skandaloz dhe në çdo stadium ka një ngjyrë të ndryshme. Janë këta elementë ata që ndryshojnë produktin. Produkti në Angli është shumë i bukur. Nuk po flas për futbollin dhe cilësinë e klubeve, por për produktin në total".