Braçe kërcënohet me një CD

Deputeti socialist Erion Braçe në një dalje për mediat ka denoncuar një letër në brendësi të së cilës gjendej një CD ku akuzohen për vrasje dhe trafik droge ai vetë dhe kreu i PS-së Edi Rama.
Sipas Braçes, në CD paraqiteshin “prova të rreme” të cilat kishin si qëllim të pengonin opozitën në nismën e saj kundër korrupsionit.
Deputeti socialist ka akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Sali Berisha si përgjegjësin e këtij “shantazhi” në bashkëpunim me personin e shumëkërkuar nga Maqedonia, Daut Kadrioski.
“Berisha në cilësinë e kryeministrit është angazhuar drejtpërdrejt në relativizimin e kësaj fushate historike transparence dhe në ndërprerjen e saj duke sulmuar, atakuar e shpifur. Ai ka njehësuar struktura të veçanta të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit kundër përfaqësuesve të opozitës. Të hënën pas një mbledhjeje pune personeli më ka rënë në dorë një zarf i dorëzuar nga posta e Tiranës. Brenda tij është një kartolinë dhe brenda saj është një CD nga ana e pasme shkruhet: ‘Ke 24 orë kohë ndryshe të gjitha kanalet televizive do ta publikojnë’, dhe në fund ka emrin e shtetasit nga Maqedonia Daut Kadrioski. Në përmbajtje të kësaj CD-je flitet për mua dhe kreun e PS-së Edi Rama që nga personi i kërkuar nga më shumë se 13 shtete, akuzohemi se jemi përfshirë në përdorim dhe trafik droge dhe në vrasjen e dy shtetasve, njërin në Tiranë dhe tjetri që është hedhur nga kati i dytë në një ndërtesë në Maqedoni. Në këto akuza përfshihen edhe krerë të tjerë të politikës si Hashim Thaçi apo Jakup Krasniqi”, është shprehur Braçe.
Ai ka sjell në vëmendjen e mediave një fjalim të kryeministrit Sali Berisha në seancën e 25 nëntorit të këtij viti, ku kreu i ekzekutivit përmend emrin e Kadrioskit.
“Të njohur me këto fakte gjykuam se po kalojmë nga një fazë e shpifjeve politike, në një fazë të re ku Berisha po përdorë dhe zëvendëson krimin e organizuar jo për akuza banale, por akuza të rreme penale në vend dhe rajon. Kjo do të thotë se Berisha po prek fundin dhe po bëhet i rrezikshëm për çdo shqiptar që refuzon aktet korruptive të tij”, tha Braçe.
Ai theksoi se për këtë çështje është takuar dje me presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe sot në mëngjes ka vënë në dijeni edhe prokurorin e Prokurorisë së Tiranës.
“Pas këtyre kontakteve do të bëjmë kallëzim penal për të gjithë këtë histori që kulmon me angazhimin serioz dhe konkret të politikës kundër krimit të organizuar. Qëllimi i kësaj është që opozita të ndërpresë fushatën kundër korrupsionit. Berisha është në dijeni të publikimeve shumë të rënda dhe serioze që nuk e mbajnë më dot në këmbë qeverinë e tij”, tha Braçe.
“Shprehim neverinë e qartë përkundrejt këtyre akteve që refuzojnë t’i nënshtrohen këtyre praktikave kriminale dhe mafioze dhe që garantojnë çdo shqiptar se fushata jonë e transparencës nuk do të ndalet. Ne nuk jepemi dhe do ta çojmë deri në fund këtë fushatë”, përfundoi Braçe. /tch/