Braçe reagon ndaj heqjes së posterave të PS: Ndjekje penale për punonjësit e KESH
Kandidati socialist për deputet në qarkun e Beratit Erjon Braçe ka denoncuar ditën e djeshme se në qytetin ku ai kandidon po hiqen posterat e Partisë Socialiste dhe po zëvendësohen me posterat e Partisë Demokratike. Në këtë kontekst ai ka akuzuar punonjësit e KESH, të cilët sipas tij janë aktivizuar për të kryer këtë veprim në rrugën hyrëse të qytetit.
Do të çojmë për ndjekje penale bandën e kryesuar nga kreu i OSKSH-së dhe vartësve të tij, që kanë hequr nga rruga kryesore posterat e PS-së duke i vendosur ato me postera të PD-së, është shprehur Braçe. Nëpërmjet një konference për shtyp, Braçe ka reaguar në lidhje me takimet që kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar ditën e djeshme në Qarkun e Beratit, duke e konsideruar këtë takim një dështim. Dështim të këtij takimi ai ka cilësuar faktin e mos mbajtjes së premtimeve nga ana e kryeministrit për banorët e këtij qyteti, çka është bërë shkak i dështimit të këtij takimi. Berisha shkoi i dështuar në Çorovodë ku zhvilloi një takim prej vetëm pak minutash pasi ai nuk ka mbajtur premtimin për investimin e rrugës që lidh Beratin me Çorovodës, rrugë e cila ndodhet në gjendje miserable, u shpreh Braçe. Sipas tij, Berisha shkoi i dështuar në Çorovodë për mungesën e investimeve për këtë bashki si dhe mosinvestimin për rrugën e vendit të shenjtë të Kulmakut duke treguar se ai është i aftë të gënjej dhe Zotin siç është për banorët e zonës vendi i shenjtë. Ndër të tjera, Braçe si dështim ka cilësuar dhe takimin që Berisha zhvilloi me banorët e Poliçanit. Berisha shkoi në Poliçan si përfaqësues i koalicionit kriminal të Gërdecit, pikërisht në qytetin që është magazina e Gërdecit. Kryeministri aktual Berisha dështoi që të bëjë miting në Berat, u shpreh Braçe, duke shtuar se Berati injoroj gënjeshtrën e madhe shumë vjeçare të Boshtit të Jugut.