E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Vrasja e Kekës, jo politike

Kryeministri, Sali Berisha, komenton vrasjen e Aleks Kekës, deklaratat e Topallit për PDK-në e PR-në, si dhe hapat që do të ndërmarrë pas zgjedhjeve


Berisha: Mediu ministër? Nuk varet nga unë. Ky është problem i PR-së



Ju thoni keni bërë projektin e Shqipërisë evropiane. Ku është projekti? A mund ta shikojnë qytetarët të materializuar diku?


Qytetarët shqiptarë e kanë atë të printuar, jo në një mijë faqe. Se pyetën njëherë Albert Ajnshtajnin, i thanë, ku i shkruan ti mendimet e mia. Nuk i shkruaj kurrkund, u shpreh ai, se ato janë të tilla që nuk janë të shumta.


Kështu që, ky projekt është i printuar në një dokument fletëpalosjeje disa faqesh, i cili mbulon të gjitha fushat dhe përcakton të gjitha drejtimet dhe premtimet tona. Projekti i Shqipërisë evropiane, është një projekt në pamje të parë evropian, i gjerë, i vështirë.


Në fakt, në thelb, ky projekt ka një synim: qytetari shqiptar, për t'u konsideruar i përshtatshëm për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet të gëzojë kushte jetese, pune, shkollimi, kujdesje shëndetësore, shërbime të njëjta me ato të disa vendeve anëtare të BE-së.


Pra, duhet që Shqipëria të ndërtojë standarde plotësisht të krahasueshme me vendet anëtare të BE-së, jo me të gjitha. Nuk bëhet fjalë që ne në 4 vite të konsolidojmë këtu standardet e Britanisë së Madhe, Anglisë, Francës, apo Spanjës. Por, ka disa vende ish-komuniste që janë pranuar si anëtare të BE-së, janë pranuar pikërisht për standardet që ato kanë vendosur. Për Shqipërinë është e domosdoshme kapja e këtyre standardeve, një tërësi normash, praktikash, standardesh.


Po marr një aspekt. Nuk mund të shkojmë në BE me një rrjet rrugor të botës së tretë, sepse që në atë moment ajo bëhet pjesë e territorit të BE-së dhe do të ishte qesharake që Shqipëria të pretendonte një gjë të tillë, ndaj edhe ne po rindërtojmë dhe ndërtojmë një rrjet rrugor tërësisht të ri, i cili bën që shqiptarët të udhëtojnë në vendet e tyre, duke kursyer të paktën 50% të kohës dhe në kushte shumë më komode.


Do të doja të dija nëse kjo fletëpalosje, a u është shpërndarë qytetarëve shqiptarë, se ne si gazetarë akoma s'e kemi në dorë. Ku mund ta gjejmë ne një të tillë, që pas 4 vjetësh të ulemi sërish përballë dhe të themi se çfarë keni bërë?


Normal, ajo fletëpalosje gjendet tani në shpërndarje e sipër, në çdo familje shqiptare. Por, detyrimisht që zyrat e PD-së duhet t'ua çojnë atë të gjitha mediave, është jashtëzakonisht e kthjellët dhe i ka të gjitha objektivat e pikëzuar.


Çfarë do të bëjmë për infrastrukturën, për zhvillimin e qëndrueshëm rural, për arsimin, për shëndetësinë, për turizmin, për punësimin, për luftën ndaj varfërisë, luftën kundër korrupsionit. Ky program i sintetizuar në disa faqe, natyrisht i zbërthyer pastaj, ai transkriptohet në programin e qeverisë së ardhshme.


Ju kanë akuzuar se fatura është shumë e lartë dhe do të duhet ta paguani...
Fatura do të paguhet, sigurisht, unë nuk i rri borxh askujt, të gjitha do t'i bëjmë transparente.


Qeveria apo PD-ja?


Jo, PD-ja. Ai është një numër tjetër, jo numri i qeverisë. Është një numër me 67 dhe numri im është me 69. Qeveria nuk do të paguajë asnjë qindarkë për këtë.


Do të deklarohet në KQZ?


Pa diskutim. Ajo është transparente, janë kompani, të cilat i kanë të gjitha mesazhet. Pasi ka një marrëveshje me to dhe është gjithçka transparente, nuk mund të jenë qeveritare mesazhet. Por, sidoqoftë, të siguroj që kostoja e tyre për PD-në, është shumë herë më e ulët se sa kostoja e 33 grupeve me buxhetin e Bashkisë.
Por edhe ju keni marrë grupe...


Të gjitha me PD-në, as edhe një si qeveri, në mënyrë kategorike.


Ju thoni që qeveria nuk është përzier në fushatën elektorale, nuk ka asnjë punonjës të fushatës, asnjë litër karburant të harxhuar nga buxheti i qeverisë për fushatën, asnjë mjet i administratës...?


Unë atë që them është kjo: asnjë punonjës i shërbimit civil, në mënyrë kategorike nuk është i angazhuar në fushatë. Madje, kjo ka qenë porosia përherë, madje edhe përtej shërbimit civil.


Por ato që janë në politikë, janë në politikë, janë të gjithë të angazhuar. Është një rregull kudo ky. Prandaj tek ne është respektuar rregulli më i madh. Fushata po shkon drejt fundit, ke dëgjuar ti ndërhyrjen e policisë në fushatë, të ushtrisë, të SHISH-it? Zero! Ja pra, kjo është fushata jonë. Por, mos harro se në fushatën e kaluar ishte një bateri kjo për zgjedhjet.


Në përgjithësi, fushata elektorale nga vëzhguesit e ODHIR-it është përcaktuar si fushatë e qetë, por nuk kanë munguar edhe incidentet, deri në humbje jetësh njerëzore dhe disa lojë luftërash mes militantëve, posterave etj. A keni një mesazh për partitë politike dhe për militantët më 28 qershor?


Ajo që mund të them, forca politike që unë kryesoj, ka bërë një fushatë kryekëput konstruktive, ka respektuar kundërshtarin, ka pasur një incident tragjik shumë të rëndë, që ishte vrasja e aktivistit tonë të shquar Artan Zeka, në Katundin e Ri, nga një fanatik, me një akt të shëmtuar. Ai vendoste posterat në palestrën e tij. Ky i thoshte pse i vendoste posterat. Nuk ka pasur incident tjetër.


Vrasja e kryetarit të degës së PDK-së në Malësi të Madhe...


Këtu mua më vjen keq, nëse ka elementin më të vogël të karakterit politik, por deri sot ka zero element politik. Tani, nëse një funksionar i një partie pëson aksident, apo një vrasje, edhe quhet politike, kjo është qesharake, kjo është qesharake zotëri. Më thuaj cili ishte elementi politik i saj?


Elementi është se ai ishte kryetar i një partie në një zonë të caktuar. Ishim në kulmin e fushatës elektorale dhe nga ana tjetër ka pasur edhe një vrasje të një deputeti të PS-së përpara fushatës zyrtare, faktikisht.


Elementi politik lidhet me lehtësinë për t'u goditur drejtuesit politikë, qofshin këto lokalë, nga elementë kriminalë.
Së pari, nuk ka shqiptar që thotë, ose që ka thënë deri më tani se problemi i deputetit ishte politik.


...Jo, por ishte një njeri me imunitet...


...Prit një minutë, se ishte politik në radhë të parë, po hetohet, do gjinden shkaqet. Problemi i dytë i këtij, as nuk ishte në fushatë, as nuk ishte kandidat, ky ishte një qytetar që pësoi një fat tragjik, për të cilin policia po heton. Nuk ka gjë më të shëmtuar, më të shëmtuar se sa të përdhosësh një të vdekur.


Ai vdiq, e vrau dikush. Ç'ndodhi, do të sqarohet çdo gjë, rrethanat dhe pse vdiq ai. Tani, të tundësh flamurin siç bën kryetari i opozitës, ky përsërit Trebickën...


Ku po shkonte ai, të pyes unë, ku po shkonte nga Malësia e Madhe, tek kush po shkonte?


Thuhet që do të shkonte të takonte kryetarin e partisë së tij...
Atëherë, në kodin më të prerë, ka një problem aty që unë s'e them, se jam i bindur që s'ka asnjë problem.


Ju po akuzoni zotin Ndoka që ka gisht në vdekjen e tij...?


Jo, kategorish jo, e mora si shembull. Është njëlloj si të themi ne tani, që ai e thirri dhe shih aty. Është qesharake. ....Do të ishte njëlloj sikurse të thoshim ne tani që, ai që e thirri, ai e nxori në pritë.


Muhabete janë këto? Këto janë turpe. Ky është primitivizëm. Politika nuk mund të udhëhiqet nga gjëra të tilla. Eshtë një i vdekur, ta hetojnë, familja po e qajnë, familja ka nevojë të dijë edhe ajo se si vdiq djali, burri, prindi.


Por dy ditë para kësaj ngjarjeje, zëvendësja juaj në PD, Jozefina Topalli, në fushatën elektorale pranë atij fshati bëri një deklaratë, mund të themi jo normale, ku e akuzoi kreun e PDK-së si mafioz. A është normale kjo gjuhë?


Më thuaj mua se çfarë mund të ketë lidhje midis kësaj deklarate dhe atij aksidenti. Ka një lidhje, ta them unë, atyre që u dogji kësula. Edi Ramës i dogji kësula pas veshit, pasi ajo e goditi Edin, pikërisht në pikën e tij më të dobët, në këtë çështjen e të shkuarës së tij dhe lidhjeve familjare me krimet e komunizmit, e të gjitha këta. Kjo është dobësia e tyre.
Akuza ishte drejtpërdrejt për PDK-në...


Po lërë ti, reagimin s'e bëri PDK-ja, por Edi Rama.


Kishte një deklaratë të zonjës Topalli, me ketë që ju po thoni se jeni dakord me shprehjet e saj, por a jeni dakord me të njëjtin qëndrim për Partinë Republikane?


Një minutë, përpjekjet për të lidhur vdekjen tragjike të një njeriu, unë për çdo të tillë kam respektin e padiskutueshëm. Përpjekjen për të lidhur vdekjen tragjike të një njeriu me një denoncim të lidhjeve me krimet e komunizmit të Edi Ramës, kjo është jashtëzakonisht fatkeqe.


Për sa i përket PR-së, është aleatja kryesore e Partisë Demokratike.


Ka dy qëndrime të ndryshme midis jush dhe zonjës Topalli?


Absolutisht jo. Të jesh i sigurt që vetëm një qëndrim ka.


Ishte lapsus i zonjës Topalli?


Mund të jetë një kështu...


..Të nesërmen në mëngjes keni pasur një takim në selinë e PD-së?


Të nesërmen është bërë sqarimi, PR-ja është aleati ynë.


Do ta keni në qeverinë e ardhshme zotin Mediu sërish ministër?


Kjo s'varet nga unë, ky është problem i PR-së.


Nëse ua afron, do ta pranoni sërish pjesë të kabinetit tuaj qeveritar?


Zoti Mediu është udhëheqësi i asaj partie dhe ajo parti ka të drejtën e vet të plotë të përcaktojë cilin do të sjellë në qeveri, e para. E dyta, zoti Mediu, e kam thënë dhe do ta them prapë dhe do ta them gjithmonë, në procesin e anëtarësimit në NATO, është një nga njerëzit me kontributin më të madh që unë njoh në këtë vend.


E treta, në një akt përgjegjësie të plotë, morale, dha dorëheqjen, u akuzua në mënyrë politike nga ata që u leverdiste të përdornin Gërdecin për qëllime politike dhe morën turpin me akuzën që bënë. U spostuan në fakt ushtarakët. Ndaj edhe unë, zotin Mediu, pa e dënuar gjykata, unë e pranoj tërësisht të pafajshëm, nga ana ligjore, nga ana morale, ai ka dhënë dorëheqjen.


Në ditën e zgjedhjeve, që ta mbyllim këtë çështje, të deklaratës së zonjës Topalli, a do të ketë vota taktike, apo thirrja juaj për të gjithë votuesit dhe për të gjithë militantët e PD-së është që t'ju votojnë vetëm ju?


Thirrja ime është që të votojnë 10-tën dhe vetëm PD-në. Kjo është thirrja ime shumë e prerë dhe këtë e kanë pranuar aleatët tanë, të cilat janë anëtarë të një koalicioni elektoral, por edhe qeverisës, në bazë të kontributit që kanë, nuk ua injoroj kontributin. Por thirrja ime e prerë për çdo anëtar dhe aktivist, është të votojnë 10-ën, të votojnë Partinë Demokratike.


A ka një pakt, le të themi, qoftë edhe të fshehtë, mes jush, zotit Meta, zotit Nano, për të bërë një fushatë kundër zotit Rama, siç ka zëra kohët e fundit? Pra, a ekziston një lloj blloku i politikanëve të filluar më herët?


Jo, absolutisht jo. As nuk ka dhe as nuk mund të ketë. Të dy ata janë eksponentë kryesorë të së majtës, asnjëri nuk është i bërë nga Sali Berisha, janë bërë vetë, që dihet. Problemet e tyre janë brenda së majtës, pa asnjë lidhje, po të jetë problemi, zoti Peza, në krahun e Ramës qëndrojnë të gjithë ata që kanë ikur nga unë.


Nëse nuk arrini t'i bëni votat tuaja, a e përjashtoni një koalicioni me LSI-në për të bërë qeverinë?


Aq sa mund të bëj me Partinë Socialiste dhe aq mund të bëj me Lëvizjen Socialiste për Integrim. As me njërën dhe as me tjetrën, absolutisht. Nuk janë për koalicion, nuk janë këto forca politike. Më thuaj ti mua se çfarë dëgjove nga programi i tyre, më thuaj, dil e bëj një anketë, pyet 100 shqiptarë dhe nëse do të thonë një fjali të vetme nga programet e dy forcave.


Partitë bashkohen në bazë të programeve, nuk kanë program ato, programi i tyre është luftë kundër meje. Por shqiptarët nuk e duan ashtu, shqiptarët duan se çfarë do të bësh. Hajde, mirë, luftën kundër Berishës bëje ti, por çfarë do të bësh për ta, çfarë do të bësh për shkollën e tyre.


Të nxjerrësh shkollën e Vishocicës, muhabet është ky. Apo të deklarosh se Korça është më e varfër se 100 vitet e fundit, apo të deklarosh që Pogradeci, ku kryetari i Bashkisë ka lavdëruar qeverinë për fondet që ka dërguar, ata thonë se ka zero grande, por nuk është kjo politikë. Politika e tyre ka rënë në një sterilitet total.
Por ju në 2005-ën futët edhe zotin Xhuveli. Ju nuk kishit asgjë programore të përbashkët me të.


Kisha, mjedisin. Jam një mjek dhe nuk mund kurrsesi të mos jem mjedisor. Kam marrë vendime, kur kam shpallur disa vendime, nuk kanë besuar të tjerët. Për imoralitet ndodhi ajo e privatizimit të ARMO-s, por s'do të kishte D2 fare në Shqipëri. Por unë do t'i kushtoj edhe në të ardhmen vëmendje mjedisit.


Këto janë zgjedhjet e shtata të përgjithshme pluraliste, ku ju merrni pjesë dhe sigurisht që zgjedhjet kanë dy rezultate: kanë fitoren dhe kanë humbjen. Nëse PD-ja dhe koalicioni humbet, a do ta pranoni dhe a do t'i siguroni shqiptarët se do të bëni një kalim të butë të qeverisjes?


Unë po shëtis në të katër anët e këtij vendi.
Përveç kësaj, është detyra juaj të thoni që do të fitoni, sigurisht...
Por nuk shoh në rreze, por nga sytë e shqiptarëve buron vetëm drita e fitores. Tani, të më thuash mua që këta qindra mijëra, mos milionë prozhektorë dritë të kësaj fitoreje, se nuk i kanë qartësuar gjërat, i kanë qartësuar gjërat përfundimisht.


Sikundër unë mbetem gjithnjë në jetën time i vendosur të respektoj çdo verdikt të sovranit, të këtij populli, ndaj të cilit gjithnjë, sado që të përpiqesh dhe të bësh, mbetesh i detyruar.
Pra, në rast humbjeje, ju siguroni që do ta njihni humbjen dhe siguroni tranzicion të butë të pushtetit tek kundërshtarit...
Tek kush? Unë pranoj verdiktin, populli shqiptar do të ma japë mua.


Ju pranoni vetëm fitoren?


Unë pranoj çdo rezultat të shqiptarëve, nuk mund të diskutohet, s'mund të ketë një diskutim kurrë.


Në rast se shqiptarët me verdiktin e tyre ia japin Ramës dhe PS-së, a do ta prisni në zyrë për t'ia dorëzuar qeverinë?


Po s'është ky problemi. Por më thuaj mua se pse ia braktisën festën e 33-të, nuk ishte puna e shiut, por mos e thello më tutje këtë muhabet...
Ju i garantoni shqiptarët që vota e tyre do të numërohet drejt dhe do të jetë e lirë dhe e ndershme deri në fund...
Vota e shqiptarëve do të numërohet kësaj radhe më transparente dhe më bukur se kurrë në ndonjë vend, do të numërohet përpara kamerave elektronike, një sistem i përkryer. Nuk kam dëgjuar që të ketë një vend të tillë si kjo që po bëjmë ne, mund edhe të ketë. Jam i lumtur që po e mbyll mandatin e parë me një numërim të tillë, kaq dinjitoz dhe transparent për vendin tim.


Nëse humbni, çdo të bëni ditën e parë ?


Pas zgjedhjeve, do të shkëmbej mesazhet e urimit për të gjithë mbështetësit e mi, do t'u shpreh mirënjohjen dhe kontributin e jashtëzakonshëm që dhanë në këtë fitore, do të komunikoj edhe me miqtë e mi kudo në botë. Mund të marr një ditë apo dy ditë pushim. Pushime në Shqipëri, jashtë nuk bëj, me familjen, por edhe miqtë. Shkoj unë jashtë, por pushimet i bëj në Shqipëri.
Marrë me shkurtime nga
emisioni "Ora e Debatit", në "Ora News"


Koalicion me LSI-në?

Aq sa mund të bëj me Partinë Socialiste dhe aq mund të bëj me Lëvizjen Socialiste për Integrim. As me njërën dhe as me tjetrën, absolutisht. Nuk janë për koalicion, nuk janë këto forca politike. Më thuaj ti mua se çfarë dëgjove nga programi i tyre, më thuaj, dil e bëj një anketë, pyet 100 shqiptarë dhe nëse do të thonë një fjali të vetme nga programet e dy forcave.

Çdo të bëj pas zgjedhjeve?

Pas zgjedhjeve do të shkëmbej mesazhet e urimit për të gjithë mbështetësit e mi, do t'u shpreh mirënjohjen dhe kontributin e jashtëzakonshëm që dhanë në këtë fitore, do të komunikoj edhe me miqtë e mi kudo në botë. Mund të marr një ditë apo dy ditë pushim. Pushime në Shqipëri, jashtë nuk bëj, me familjen, por edhe miqtë. Shkoj unë jashtë, por pushimet i bëj në Shqipëri.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›